Mësimi i zhvilluar online është gjetur si e vetmja mënyrë që nxënësit dhe mësuesit të vazhdojnë të zhvillojnë procesin mësimor. Thuajse në të gjitha shkollat në vend janë krijuar klasa në rrjete sociale për të dhënë mësim. Por duket se ata që po hasin më shumë vështirësi dhe shqetësime janë maturantët, pasi provimet e maturës i cilësojnë si një moment të rëndësishëm në jetën e tyre. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka deklaruar se në Shqipëri do të ketë një hapje të pjesshme të shkollave vetëm për maturantët. Mësimi do të nisë më datën 18 maj dhe do të mbyllet më 5 qershor me qëllim përgatitjen e maturës shtetërore. Provimet e maturës do të mbahen mes datave 8-18 qershor. Shahini tha se shkollat do të hapen për 3 javë për maturantët, në mënyrë që këta të fundit të mund të përgatiten më mirë për provimet e maturës në qershor.
Hapja e shkollës për maturantët ka disa rregulla të distancimit social. -Do të ruhet distanca 1.5 metra dhe numri maksimal i nxënësve nëpër klasa nuk do ta kalojë 15. -Do të përdoren edhe ambientet e shkollave 9- vjeçare që të shmanget mbipopullimi nëpër klasa. Në fjalën e saj për mediat, ministrja deklaroi se është marrë vendimi për anulimin e provimeve të klasave të pesta dhe të nënta. Besa Shahini ka folur edhe për ata maturantë të shqetësuar për dijet e marra. Ajo ka thënë se në qoftë se nxënësit kërkojnë të ri përsërisin vitin, atëherë duhet të njoftojnë në shkollat e tyre mbi vendimin e marrë sa më parë të jetë e mundur.
Gazetare: Joana Ruho
Maj – Qershor 2020