-1.3 C
Pogradec

Zgjidhjet e Mira në Kohë të Këqija

Gjeneza e kësaj gazete zuri fill nga dëshira e të rinjve pogradecarë, anëtarë të Këshillit Rinor Pogradecar (akronimi: KRP), të cilët gjatë diskutimit për Strategjinë e aktivizimit vjetor të KRP, shprehën idenë për të bërë disa aktivitete vlerësuese për më të talentuarit ndër ta dhe promovimin e aktivizimit të tyre në një dritare informative siç shpresojmë të jetë gazeta periodike ‘‘Letër e Hapur’’ Të rinjtë gjenerojnë ide të pafundme, mjafton që aktorët vendimmarrës t’i kenë në fokusin e tyre dhe kjo nuk mungoi në rastin tonë. Së pari, ishte mbështetja e SIG Foundation, që e mirëpriti këtë ide dhe u angazhua maksimalisht për ta konkretizuar ashtu siç shprehën preferencat të rinjtë dhe më pas, gjatë prezantimit të Konkursit të Ideve në Thirrjen e 6-të për projekte nga Lëviz Albania dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, ju dha edhe pëlqimi i Bordit të Granteve projektit me temë ‘‘Aktivizimi dhe fuqizimi i të rinjve për të qenë pjesë e vendimarrjes lokale, nëpërmjet fjalës së lirë dhe aksionit qytetar’’, në rastin konkret fjala e lirë përkon me botimin e gazetës dhe fuqizimi i të rinjve pritet të realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në tre trajnimet e planifikuara dhe më pas në aktivitetet e gjeneruara nga të rinjtë – për të rinjtë. Natyrisht, nuk mund të nisnim një gazetë nëse nuk do të kualifikoheshim, por rrugëtimi i ngritjes së stafit të gazetës do të kalonte një odise pritjeje dhe vështirësie komunikative që kaploi bashkë me ne edhe gjithë globin, ajo e COVID-19 Megjithëkëtë, pandemia nuk frenoi të rinjtë e vendosur të ndjekin takime të shpeshta dhe sesione trajnimesh online, të planifikuara nga SIG Foundation dhe stafi i projektit, të orientuar me kujdes nga koordinatorja e donatorëve, znj. Anahi Martinez, duke hedhur kështu hapat e parë të planifikimit të gazetës, si edhe përgatitjeve për aktivitetet e para, që do të bëhen pas fitimit të luftës me pandeminë. Nga trajnerët e deritanishëm falënderojmë z. Ilir Shyta dhe z. Samuel Geiger, për ekspertizën, suportin dhe sesionet e tyre të trajnimeve, përtej kohës së planifikuar, duke vlerësuar edhe mbështetjen e Bashkisë Pogradec, me ndjekjen e vazhduar të këtij procesi nga ana e nënkryetares znj. Entela Gusho; Drejtorit të Zyrës Vendore Arsimore, njëkohësisht edhe Kryetar i Këshillit Bashkiak Pogradec, z. Sotiraq Gusho; Drejtoren Ekzekutive të Nehemiah Gateway Albania, znj. Herolinda Shkullaku dhe Rektorin e Nehemiah Gateway University, Dr. Peter Makiriyado; Drejtoren e Qendrës Arsimore, znj. Anxhela Andoni dhe shumë aktorë të tjerë nga Shoqëria Civile, që u gjendën pranë të rinjve për të vendosur në dispozicion kohën dhe çdo informacion apo material të nevojshëm mbi mbarëvajtjen e punës me gazetën. Gazeta rinore ‘‘Letër e Hapur’’ do të përgatitet edhe në vijim nga një sistem rotacional drejtimi, në të cilin të gjitha pozicionet e stafit të redaksisë do të ndërrohen para dhe pas çdo numri, sipas kontributit të secilit prej gazetarëve të rinj, duke synuar nxitjen dhe motivimin e tyre për t’u përfshirë, por edhe për t’u shpërblyer modestisht për angazhimin e tyre. Gazeta do të jetë edhe në formatin online www. leterehapur.sig-foundation.com përveç shpërndarjes fizike (e printuar) në të gjitha Njësitë Administrative dhe territorin e Bashkisë Pogradec. Të rinjtë, të angazhuar me ngarkesën e mësimit online, frikën nga virusi, shqetësimin për rezultatet në mësime, kufizimin e aktivizimit nga kushtet e karantinimit në shtëpi, sërish gjetën kohë për t’i dhënë ‘shkrim’ dhe ‘figurë’ zërit rinor mbi ato që ju duken të mira apo problematike në qytet, le t’i lexojmë / kuptojmë mesazhet e tyre në kolumnat e këtij numri të parë pa paragjykuar standardin gazetaresk të artikujve në brendësi, sepse jo çdo perlë fshihet nën guaskë të praruar dhe jo çdo guaskë e praruar fsheh një perlë.

Dorian Leka Drejtues i Projektit, SIG Foundation

Maj – Qershor 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Fjalët marrin jetë kur hidhen në letër

Robert Frost thotë: “Gjysma e botës ka diçka për të thënë dhe nuk mundet, gjysma tjetër nuk ka...

Të punosh duke pushuar apo të pushosh duke punuar?

Fill pas përfundimit të punës për numrin e parë të gazetës rinore “Letër e Hapur” dhe pas shpërndarjes...