Intervistë me Dr. Peter Makiriyado (Ph.D.), Rektori i Nehemiah Gateway University
Përshëndetje profesor Makiriyado. Është një kënaqësi për ne të rinjtë, të jemi përballë jush në këtë intervistë.
Çfarë mund të na thoni për eksperiencat tuaja të mëparshme dhe formimin tuaj akademik?
Atëherë, unë kam dy diploma bachelor në degën e Lidershipit Kishtar dhe Studimeve Ndërkulturore, një Master në Administrim Biznesi, një Master of Arts në Teologji dhe një Doktoraturë në Edukim dhe Zhvillim. Për shumë vite kam shërbyer në pozita lidershipi, së bashku me punën si profesor në edukimin fetar, edukimin teknik dhe biznes. Në Shtetet e Bashkuara kam ndërtuar një organizatë jo fitimprurëse së bashku me një kolegj në Zimbabwe, i cili është ende në ndërtim ndërkohë që po flasim.
Duke marrë në konsideratë formimin tuaj akademik dhe punën shumë të vlerësuar, a e zgjodhët ju NGU, apo ju zgjodhën ata ju për të drejtuar?
Pozicioni të cilin unë mbaj aktualisht është vendosur nga Bordi Drejtues i Organizatës. Pasi kisha shërbyer për rreth një vit si Dekan akademik, Bordi vendosi të më emëronte Rektor të Universitetit. Pra me pak fjalë, Nehemiah më zgjodhi mua.
Universiteti juaj ka studentë të huaj, por edhe shqiptarë. Si do ta vlerësonit interesimin e tyre, cilët janë më të përkushtuar në procesin mësimor?
Të mësuarit është në vetvete një proces relativ, pra do të ishte e padrejtë të kategorizonim studentët në këtë mënyrë. Megjithatë, nëse pyetja do të perifrazohej ndryshe mund të arrinim në përfundimin se për studentët e huaj është përgjithësisht më e lehtë të familjarizohen me orën e mësimit, pasi nuk ekzistojnë barrierat gjuhësore. Pavarësisht kësaj ka shumë studentë shqiptarë për të cilët ky fakt nuk përbën asnjë problem.
Cili është kontributi që universiteti ka dhënë në komunitetin e Pogradecit, duke ditur që është i vetmi në rrethin tonë?
Në NGU ne synojmë të ofrojmë një edukim akademik që konsiston në praktikën e inkorporuar me teorinë. Teoria u mundëson studentevë të krijojnë bazat e nevojshme për të analizuar dhe ndihmuar bizneset e ndryshme në vendin e tyre, por në mënyrë që të bëhet kjo gjë është e rëndësishmë ta koordinojmë teorinë me praktikën. Ne jemi të hapur të pranojmë ftesën e çdo biznesi për të ndihmuar në ideimin, ngritjen e biznesit ,por edhe në rimëkëmbjen e tij. Aktualisht, një grup studentësh po punon pranë Kantinës së Verërave ‘Caco’, duke ndihmuar me strukturimin e saj, për të funksionuar dhe përfituar sa më shumë në tregun konkurrues lokal, por edhe më gjerësisht.
Pse studenti i së ardhmes duhet të zgjedhë NGU?
Një prej arsyeve më të rëndësishmë pse NGU duhet të jetë zgjedhja kryesore e studentëve, është kualiteti dhe ekselenca mësimore. Çdo student që del nga bankat e universitetit tonë, e ka merituar diplomën dhe dijet e marra gjatë viteve të shkollës. Është e parashikuar që çdo student të plotësojë 29 module në degën e Ekonomisë dhe Biznesit dhe 19 module në programin Master. Siç e përmenda edhe më lart, ne vlerësojmë jo vetëm teorinë, por edhe anën praktike, për këtë arsye ne u mundësojmë studentëve tanë plot 6 semestra, për të vënë në praktikë njohuritë e marra, duke i mbështetur dhe këshilluar përgjatë gjithë këtij procesi.
Duke ditur se diploma juaj është e akredituar zyrtarisht edhe në SHBA dhe Gjermani, ju mendoni se studentët zgjedhin NGU si një mundësi për të emigruar më pas në këto vende apo zgjedhin standartin mësimor?
Këtu te NGU ne marrim përgjegjësi të plotë për studentët tanë duke iu ofruar atyre edukimin e duhur përmes metodave këshilluese brenda dhe jashtë dyerve të universitetit. Ne krenohemi me çdo arritje të tyren, por dëshira jonë është t’i shohim këta studentë pranë komunitetit të tyre. Pavarësisht rrugëtimit që ata ndjekin në jetë, ne i këshillojmë gjithmonë që të mos reshtin së dhëni kontribut për vendin e tyre, pavarësisht distancës fizike.
A keni menduar të zgjeroni programet tuaja të studimit përveç Ekonomisë dhe Biznesit që ofroni momentalisht?
Po, ne jemi në kërkim të programeve të cilat u përshtaten interesave dhe nevojave të komunitetit tonë. Momentalisht jemi duke punuar me zgjerimin e disa programeve mësimore, si Administrim Biznesi, Punë Sociale, Mikpritja dhe Turizmi.
A keni një mesazh për të rinjtë pogradecarë?
Konsiderojeni veten si qytetarët e së ardhmes, pas disa vitesh ju do të jeni prindërit, qytetarët, liderët e komunitetit, liderët e shoqërisë. Konsiderojeni këtë periudhë si një trajnim dhe parapërgatitje për t’u bërë një kontributor në zhvillimin e gjeneratave të ardhshme. Shijojeni rininë, por mos harroni se ju jeni përgjegjës për të sjellë zhvillimin në komunitetin tuaj. Mos reshtni së mësuari dhe së përgatituri vetveten. Merrni gjithë kohën e nevojshme për të kuptuar se si funksionon shoqëria. Jo vetëm sot për sot, hidheni vështrimin tuaj larg në drejtim të së ardhmes, krijoni vizionin tuaj. Formimi juaj sot përbën një faktor shumë të rëndësishëm të së ardhmes, që ne së bashku po krijojmë. Për një moment mendojeni veten tuaj si një flutur jeta e së cilës kalon në disa faza. Ka një periudhë të caktuar kur është vetëm një larvë si gjithë të tjerat, por mbani mend se kjo është vetëm një periudhë e cila do të kalojë, nuk është e gjithë jeta e fluturës. Një ditë edhe ju do të bëheni flutura, por tani, këtë periudhë të jetës suaj shfrytëzojeni për të formuar veten tuaj, personalitetin tuaj. Përpara jush qëndron një jetë e gjatë dhe një e ardhme emocionuese.
Gazetare: Elia Meçi
Korrik – Gusht 2020