3.6 C
Pogradec

Intervistë me Prof. Neli Naço, një nga iniciatorët e ekspozitës “Ëndërr e një nate vere”

Pse ky titull “Ëndërr e një nate vere”?

Në fakt, titulli është i një vepre të Shekspirit dhe u zgjodh me qëllim për të thirrur ëndrrën, si ambienti ideal ku njerëzit mund të bashkohen dhe të ndahen. Në këtë kuptim, ëndrra del si një model pozitiv dhe si diçka pozitive. Në ëndërr, ne shohim gjëra të mira por edhe gjëra negative. “Ëndërr e një nate vere”, u zgjodh për të realizuar tipin e mirë të saj. Ëndrra është edhe ajo që ndikon në prodhimin e veprave të artit dhe këto vepra e sjellin frymën e saj. Ti mund të pikturosh ëndrrat e tua, dëshirat e tua etj. Titulli përveç kësaj duhet të ishte edhe poetik, prandaj m’u duk i përshtatshëm meqënëse dhe ekspozita ka të bëjë me frymën e verës. Dëshironim një ekspozitë që të ishte larg këtyre tematikave të kohës që po kalojmë, një ekspozitë ku ti futesh në botën e ëndrrës dhe harron shqetësimet dhe problemet.

Sa piktorë ishin pjesëmarrës dhe pse pikërisht ata?

Ishin gjithsej 17 autorë pjesëmarrës, një pjesë e të cilëve janë larguar nga jeta dhe kjo ekspozitë shërbeu dhe si homazh për ta. Nuk ishte ideja pse pikërisht duhet të ishin ata, por ishte ideja që të mblidhnim të gjithë autorët profesionistë të Pogradecit. Pra, të mblidhen të gjithë ata autorë që i kanë shërbyer qytetit në vite dhe kohë të ndryshme. Nuk u mblodhën të gjithë, por shumica janë të pranishëm dhe kjo është një arritje, sepse ata janë autorët kryesorë, që kanë kontribuar dhe kanë mbajtur jetën artistike të qytetit që në fillimet e saj, e deri në ditët e sotme. Meqenëse hapësira ishte e kufizuar, ne vendosëm që autorët të përfaqësohen me 2-3 punime. Autorët e rinj, do të përfaqësoheshin me krijimet e tyre më të reja, ndërsa ata tradicionalë me punime te zgjedhura. Në një situatë tjetër më të mirë, punët do të zgjidheshin në mënyrë akoma më profesionale, duke dërguar grupet nëpër shtëpi për t’i zgjedhur, por respektuam rregullat e vendosura për shkak të COVID-19. Autorët pogradecarë, ishin të pranishëm përveç 3 prej tyre që refuzuan ftesën. I pari është Todi Mato, që ka filluar karrierën dhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë ka ndikuar dhe në formimin tim.

Sa kohë do të qëndrojë e hapur ekspozita në galeri?

Ekspozita do të jetë e hapur për 2 javë deri në fund të gushtit. Autorët dhe familjarët e tyre kanë treguar interes për të. Në këtë situatë që ndodhemi mund të themi që ka plot vizita dhe mendoj se ajo do ketë një impakt pozitiv.

Për sa i përket tematikës së pikturave, është e njëjtë apo e larmishme?

Tematika e ekspozitës është e larmishme. Ne nuk kërkuam një kufizim të tematikës, pasi pikturat u sollën vetë nga piktorët. Afërsisht ndihej një lëvizje artistike, ose një shkollë që fillon nga Vangjush Mio, piktori i famshëm korçar dhe ka vazhduar me Todi Maton, piktorin e peizazhit dhe natyrës. Këta piktorë, janë të ndikuar nga idetë dhe janë krijues të artit të natyrës. Ishte e pritshme, që do vinin piktura peizazhi ose piktura me natyrë lirike. Autorët më të rinj sollën punime të tyret me ëndrrat, pasionet, shqetësimet apo edhe abstrakte. Ne, nuk do të kishim një unitet stilistik në këtë ekspozitë, sepse secili vjen me stilin e tij, por do kishim një vijueshmëri të mendimit artistik të autorëve të Pogradecit. Do të dëshironim, të kishim edhe një biografi artistike të jetës së secilit autor, por për shkak të mundësive të kufizuara, biografia artistike e autorëve mbetet për t’u realizuar në ekspozitën e ardhshme.

A keni një mesazh për të rinjtë pogradecarë?

Mesazhi im për ju është i qartë. Pra, i ftoj të rinjtë drejt galerisë të arteve. Të gjitha artet ndikojnë në mendje dhe kanë një lloj edukimi të veçantë. Të merresh me art, do të thotë të heqësh dorë nga shumë gjëra të tjera që enden nëpër botë. Arti ndikon në mendjen dhe shpirtin e njeriut. Të jeni sa më afër galerisë së arteve dhe artit.

Gazetare: Sara Basha

Korrik – Gusht 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Eksodi i të rinjve

Rinia po përballet çdo ditë me sfida gjithmonë e më të vështira, dy prej të cilave janë jetesa...

Premtim i mbajtur

Në Janar kur shkuam tek familja Teço, në fshatin Niçë, pata mundësinë për të „vizituar“ shkollën e fshatit...

Jeta pas lufte!

Si vazhdohet jeta pas një lufte civile? Naphtali Gideon, nga Sudani Jugor, është një nga alumni-t e IAL...

Zhvillohet për herë të parë “Tregu i Fermerëve” në Buçimas, Pogradec (intervistë me z. Samuel Geiger)

Nis për herë të parë Tregu i Fermerëve në Pogradec, ideuar dhe organizuar nga Fondacioni Nehemiah Gateway Albania...