Cili është pozicioni juaj pranë AdZMKorçë?
Unë kam studiuar për inxhinieri pyjesh dhe aktualisht punoj si specialist menaxhimi pranë administratës rajonale për zonat e mbrojturaKorçë.
Çfarë problematikash keni hasur deri tani në punën tuaj?
Problematikat kryesore që kam hasur kryesisht në administrimin e zonave të mbrojtura janë: ndotja e mjedisit në ambientet urbane, kryesisht e përrenjve të cilët derdhen në liqen, për zonën e mbrojtur të pellgut ujëmbledhës së Pogradecit, si edhe dëmtimi i pyjeve në zonë.
A i njohin të rinjtë sot zonat e mbrojtura dhe a i frekuentojnë ata këto zona?
Agjensia e Zonave të Mbrojtura është një agjensi e krijuar para 5 vitesh me fokus kryesisht vetëm zonat e mbrojtura dhe gjatë këtyre viteve është bërë një promovim i mirë i tyre sepse më parë kanë ekzistuar si sektorë brenda shërbimit pyjor, pra nuk është se njiheshin shumë. Ndërsa këto 5 vitet e fundit po bëhet më shumë reklamim dhe besoj se kemi arritur deri diku t’i promovojmë këto zona dhe vlerat e tyre natyrore.
Cilat tipologji turistësh frekuentojnë më shumë zonat e mbrojtura, turistët shqiptarë apo të huaj?
Atëherë, përsa i përket turistëve, le ta nisim me moshën. Kryesisht janë moshat e reja që fillojnë nga 15-35 vjeç. Vihet re një shtim i turistëve të huaj, kryesisht në zonat e mbrojtura.
A keni ju një zonë të preferuar? Nëse po, cila është ajo?
Pogradeci ka 2 zona të mbrojtura: peizazhi ujor dhe tokësor i Pogradecit, që njihet si pellgu ujëmbledhës i liqenit, i cili përfshin liqenin dhe derdhjet ujore të tij, dhe zona e mbrojtur “Guri i Nikës” që është në Mokër, në afërsi të Llëngës. Gjithashtu ka dhe disa monumente natyre. Unë do të veçoja si gjithë të tjerët atë që mbart vlerat më të larta natyrore, peizazhin apo pellgun ujëmbledhës të liqenit, i cili para një viti është bërë pjesë e UNESCO-s si trashëgimi natyrorekulturore botërore.
Sa herë në vit realizohen trajnime për ju si administratë?
Nuk mund të them ekzaktësisht sa herë, por besoj se bëhen 3-4 trajnime në vit për rritje kapacitetesh.
Do të ishit të gatshëm të realizonit një trajnim për të rinjtë në lidhje me zonat e mbrojtura?
Një nga objektivat tanë kryesorë është promovimi i zonave të mbrojtura ndaj bëjmë disa prezantime nëpër shkolla 9-vjeçare dhe gjimnaze gjatë gjithë vitit, kështu që kjo ide është shumë e mirë dhe do të më pëlqente të isha pjesë e një trajnimi për të rinjtë në lidhje me zonat e mbrojtura.
Cilat janë institucionet që bashkëpunoni më shumë në Pogradec?
Institucionet lokale, do të veçoja Bashkinë Pogradec, Shërbimin Pyjor pranë Bashkisë Pogradec, Organizatën e Menaxhimit të Peshkimit, Policinë, dhe në raste zjarri pyjor edhe Zjarrfikësja.
Si ndikon në punën tuaj situata e COVID-19 dhe sa mendoni se do të reflektohet kjo në turizëm?
Për sa i përket punës sonë nuk është se ka ndikuar shumë pasi edhe gjatë kohës së karantinës ne kemi qenë në punë, nuk e kemi ndërprerë atë pasi puna jonë është e ndërthurur mes terrenit dhe zyrës. Ndërsa në lidhje me turistët besoj se do ketë një ndikim shumë të madh, veçanërisht tek turistët e huaj, pra do ketë një rënie të numrit të tyre, duke e bërë këtë ndikim negativ.
A keni një mesazh të cilin do doni ta ndani me të rinjtë?
Mesazhi kryesor që do jepja është që ta duan shumë vendin e tyre, të vizitojnë monumentet natyrore, pasi ne prezantojmë zonat e mbrojtura natyrore dhe çfarë është më e rëndësishme, të mos largohen nga vendi sepse në këtë situatë që është ka shumë nevojë për të rinjtë.
Gazetare: Klea Kodra
Korrik – Gusht 2020