Zhvillohet edicioni i radhës së Javës së Aktiviteteve pranë shkollës së mesme ‘‘Muharrem Çollaku’’, shndërruar tashmë në traditë, duke nxitur edhe shkollat e tjera, që të planifikojnë të njëjtin aktivizim gjatë vitit të ardhshëm shkollor.
Këtë herë, java e aktiviteteve titullohej ‘‘N’Oborr’’ dhe pavarësisht sfidave të kushteve atmosferike, sërish u realizuan 4 nga 5 aktivitetet e planifikuara, duke bërë tok jo vetëm nxënësit e shkollës së mesme ‘‘Muharrem Çollaku’’, por edhe të rinj nga shkollat e tjera dhe aktivistë të qytetit, të cilët shpenzuan kohë argëtuese në shoqërinë e njëri-tjetrit.
Aktivitetet ishin ‘’Movie-night’’, ‘’Karake & BBQ’’, ‘’Dress up as your favourite character’’, për t’u mbyllur me ceremoninë dhe inskenimin ‘’Dasma Moderne’’; gjatë këtyre aktiviteteve të rinjtë patën mundësi të kalojnë kohë së bashku, të argëtohen në shoqërinë e muzikës, kërcimit, pijeve dhe ushqimeve të përgatitura nga vetë ata.

Duke marrë parasysh që kjo javë përfshinte një maratonë aktivitetesh, edhe këtë vit do të ishte e pamundur të realizohej pa mbështetjen e Qeverisë së Nxënësve, Drejtorisë së Shkollës, Këshillit Rinor Pogradec, Akademisë ‘’Nehemiah Gateway’’ dhe Bashkisë Pogradec.

‘‘Për mua është hera e dytë që marr pjesë dhe është një kohë që e pres me padurim, sepse është një nga mundësitë e pakta që kemi për të zhvillur një aktivitet kaq të gjatë me njëri tjetrin dhe pothuajse i gjithi në përgjegjësinë tonë. Por, ndihem mirë dhe do të doja që të angazhohesha sërish vitin tjetër me Qeverinë e Nxënësve për të ndihmuar grupin organizativ.’’ – u shpreh nxënësi Llazar Ziu.
Ky entuziazëm ndihej tek të gjithë të rinjtë pjesëmarrës dhe do të dëshironim që të asistonim edhe shkollat e tjera për ta organizuar secila prej tyre, ndoshta me aktivitete të ndryshme, sipas preferencave të nxënësve, por të ishte një kohë e dedikuar për argëtim dhe shoqërim me njëri-tjetrin.
https://www.youtube.com/watch?v=cH6NrUAHsko
Shkruajti artikullin: Vanesa Çela