Edhe këtë vit Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë bëri tok kineastë, regjisorë, aktorë dhe plot dashamirës së filmave shqiptarë dhe të huaj në qytetin e Pogradecit. Ky festival për më shumë se një dekadë e shndërron qytetin e Pogradecit në një arenë ndërkombëtare kinematografike, në të cilën kineastë nga gjithë ballkani konkurojnë me filmat e tyre. Shpërndarja gjeografike e këtij edicioni ishte me pjesëmarrës nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia, Kosova, Finlanda, Bullgaria, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia, Hollanda dhe Turqia. Në kinemanë e qytetit dhe Sheshin Odeon u transmetuan për një javë 88 filma të zhanreve komedi, dramë, me metrazh të shkurtër, të gjatë, eksperimentalë etj, duke u shfaqur edhe 4 filma nga Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.
Juria, e cila ndoqi me kujdes të veçantë secilin prej filmave konkurentë, si edhe në përmbyllje të festivalit vlerësoi dhe akordoi çmimet fituese për konkurentët, këtë vit përbëhej nga Julia Milkova, Tankica Stojanova dhe Emilie Richelle.
Ndër filmat më të mirë, të cilët u pajisën me certifikatë, ishin:
- Student Documentary – “Yesterday is what never was”, Serbia, Nikola Nikoliç;
- Animation – “I was captured by fear”, Croatia, Sara Bernat;
- Experimental – “Poppy shirt”, Serbia, Svetllana Djuroviç;
- Short film – “Barley”, Montenegro, Andrija Mugosha;
- Best documentary – “One with the line”, Albania, Klaudia Pashnjari;
- Best animation – “Supplant”, Turkey, Aisha Kasapoglu;
- Best student short – “Ambition”, Bulgeria, Jana Vesenilova and Galin Gançev.
Ndërsa, filmat fitues, që përveç interesit dhe vëmendjes nga pjesëmarrësit e festivalit, rrëmbyen edhe troftë e këtij kompeticioni ballkanik, ishin:
- Short film – “Purple Lemon”, Greece, Dimitris Andjus;
- Short film – “Rainbow”, Montenegro, Aleksandar Vujoviç;
- Short film – “The Clown”, Albania, Edmond Mandro;
- Best Ballkan Spirit – “Marko”, Serbia, Marko Shantiç;
- Best feature film – “Dignity”, Greece, Dimitris Katsmiris.

Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë çdo vit në programin e tij të pasur ka përfshirë edhe evente shoqëruese të zhanreve të ndryshme kulturoro-artistike, të cilat gjallërojnë dhe aktivizojnë orët e kësaj jave për ndjekësit e festivalit. Këtë vit festivali solli dy botimet më të reja me tregime të autorit Ardian Cerga me titull “Kohë Dashurish të Harruara” dhe Miniatura e autorit Stefan Çapaliku me titull “Darkave nga nji mbas buke”. Këto libra u promovuan në sallën e kinemasë së qytetit dhe librarinë “Mitrush Kuteli”, Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci”, QMP.

Gjatë festivalit u shfaq nekrologjia e regjisorit të ndjerë Kristaq Mitro, duke përfshirë një kolazh me filmat e tij, një pjesë e madhe e të cilëve janë xhiruar pikërisht në qytetin e Pogradecit. Por, një çast tjetër emocionues ishte edhe kur të rinjtë e Këshillit Rinor Pogradec iu dhuruan organizatorëve të festivalit një vepër të kompozuar me mjete të riciklueshme, e cila përmbante mesazh mirënjohës dhe logot e KRP dhe festivalit (përmendim këtu që në të njëjtin vit ArtImpulse dhe KRP realizuan sëbashku ciklin dokumentar “Legjendat e Gjolit”, i cili çeli dhe siparin e festivalit këtë vit).

Mirënjohje pafund për organizatorët e Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, regjisorin Eno Milkani dhe producenten Gerta Qurku, pa harruar edhe të ndjerin Fatos Baxhaku, të cilët prej vitesh kanë mbjellë traditën e realizimit, ndjekjes, vlerësimit dhe transmetimit të një morie veprash ballkanike kinematografike, duke e kthyer Pogradecin në një vatër artistësh dhe kineastësh. Pogradecarët dhe turistët e dinë tashmë, që nuk duhen bërë plane në fundqershor, këto ditë i takojnë argëtimit me filma, art, ushqim dhe muzikë, të cilat i sjell në Pogradec vetëm Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë.
Shkruajti artikullin: Dorian Leka