Liqeni i Ohrit dhe gadishulli i Linit janë mikpritësit e parë të çdo turisti sapo kalon Qafë Thanën. Jo pak prej tyre shprehen se një ditë do ta shkelin kurrizin e Gadishullit të Linit që prehet në brigjet e kulluara blu të liqenit. Fatkeqësisht, jo të gjithë arrijnë ta bëjnë këtë, sepse një shëtitje në fshatin e Linit, vizita te Bazilika dhe deri te përshkimi i shtigjeve turistike në atë zonë kërkojnë një udhërrëfyes turistik të mirëfilltë për ta shijuar si duhet natyrën, por jo më pak edhe pasurinë arkeologjike dhe gjurmët historike të paraardhësve të kësaj zone.
“Është mirë që turistët të vizitojnë Lin 1, Lin 2 dhe Lin 3, duke mësuar informacione interesante nga periudha e palafiteve, neoliti dhe deri në kohët e sotme.” – u shpreh ciceroni ynë, mësuesi Eljo Miti gjatë udhëtimit tonë nga Pogradeci për në Lin. Këto site edhe për ne do të ishin të panjohura, po të mos kishte qënë për angazhimin tonë si pjesë e Këshillit Rinor Pogradec me ftesën dhe bashkëpunimin e “Visit Pogradec”, udhërrëfyesin turistik z. Aleksandër Filipllari dhe natyrisht IAL “Nehemiah Gateway” dhe Bashkinë Pogradec për aprovimin dhe mbështjetjen e aktivitetit.
Në fundjavën e parë (7/9/23) ndoqëm intenerarin: vendbanimin e tipit palafit pranë fshatit Boqezë (Lin 3); bazilikën paleokristiane të Linit & mozaikun; bunkerin (dikur Kishë); rrethuam gadishullin e Linit nga Zagrada në fshat; një ndalesë e fundit në kthim, pranë Gurit të Kuq, ku vizituam ish-fabrikën e përpunimit të hekur-nikelit.
Por, natyra nuk del kurrë nga moda. Ne piketuam një tjetër momument gjeonatyror “Gurin e Capit” në zonën e fshatit Drenovë, ku patëm kënaqësinë të vizitojmë fundjavën e radhës (27/9/23): ish-Minierën e Qymyrit; Parkun Kombëtar “Bredhi i Drenovës”; Burimin e Ariut; Gurin e Capit. Të dyja fundjavat na dhuruan emocione mbresëlënëse të shoqërizimit me njëri-tjetrin gjatë piknikëve të organizuar në këto destinacione turistike.
Vlen të ftojmë çdo bashkëmoshatar, por edhe çdo banor dhe turist të Pogradecit, të cilët duan të përjetojnë një fundjavë ndryshe në krahët e natyrës. Na kontaktoni në rrjetin tonë social të Këshillit Rinor Pogradec për t’ju ofruar informacion mbi udhërrëfyesit turistikë në Pogradec, që mund t’ju shoqërojnë duke ju pajisur me mjetet dhe informacionin e nevojshëm për të kaluar një aventurë të paharrueshme.
Gazetare: Ilva Meçi