Nis për herë të parë Tregu i Fermerëve në Pogradec, ideuar dhe organizuar nga Fondacioni Nehemiah Gateway Albania gjatë Javës së Tetorit Gjerman. Ndërmjet aktorëve të ndryshëm nga komuniteti ishim dhe ne të ftuar, si anëtarë të Komitetit Organizativ të KRP. Organizimi i eventeve tek NG Albania pritet gjithnjë me entuziazëm nga ana jonë, sepse sjell një atmosferë festive, por edhe edukative në jo pak raste. Siç vlen të përmëndet zhvillimi për herë të parë i Farm Market në Pogradec, jo vetëm për afrimin e komunitetit pogradecar me produktet e prodhuesve lokalë, por edhe për ndërgjegjësimin e banorëve mbi risqet dhe vlerat ushqimore të produkteve agrokulturore që konsumojmë.
Për të mësuar më shumë mbi këte treg fermerësh vendosëm të intervistojmë ideatorin dhe njekohësisht një prej organizatorëve të Farm Market, z. Samuel Geiger, i cili mban edhe postin e zëvendësdrejtorit ekzekutiv të NG Albania.

Si lindi koncepti i Tregut të Fermerëve?
Ideja e Farm Market fillimisht nisi si një mundësi promovimi i produkteve të zonës dhe të fermerëve. Në këtë menyrë persona të moshave të ndryshme mund të vijnë dhe të kalojnë dy mbasdite ndryshe, duke u argëtuar nën tingujt e muzikës, duke mësuar dhe gjetur kështu edhe produkte cilësore dhe të shëndetshme. Në të njëjtën kohë, ju jepet mundësia femijëve, adoleshentëve dhe të rinjve të njihen me prodhimin, fermat dhe natyrën, duke ditur që kjo lidhje mes të rinjve dhe natyrës po humbet.
Cili është mesazhi kryesor që donit të përcillnit nëpërmjet këtij tregu?
Ne dëshirojmë që t’ju japim mundësi njerëzve t’i shikojnë këto gjera dhe të kenë kontakt më të afërt me përpunimin e tyre, shërbimin, shitjen apo përdorimin, sepse me industrializimin e shpejtë të agrokulturës po humbet kjo lidhje e njeriut me fermën. Tashmë, ne nuk po mund të shohim lidhjen e ngushtë mes prodhimit të ushqimit dhe shëndetit të njeriut. Ne produktet që konsumojmë nuk i njohim më prej nga vijnë apo në çfarë kushtesh janë prodhuar. Më pas çuditemi me problemet shëndetësore që na lindin si obeziteti, diabeti ose problematika në sistemin autoimunitar etj.
Pse Farm Market u zhvillua pikërisht në Buçimas/Starovë?
Më shumë për arsye lehtësie, pasi është një vend i përshtatshëm në kampusin e Fondacionit NG Albania dhe e gjithë baza materiale që na nevojitej ndodhej po këtu. Gjithashtu, organizimi është shumë më i thjeshtë këtu dhe dëshironim të promovonim pikërisht produktet e kësaj zone.
Sa i vështirë ishte rrjetëzimi dhe bashkëpunimi me tregtarët vendas?
Mund të them që ishte i vështirë deri në një farë pike, sepse ne po provojmë të krijojmë jo thjesht një treg ku shitet dhe ku tregtarët mund të fitojnë të ardhura me produktin që shitet, por më shumë synojmë që të promovohet një produkt cilësor dhe i shëndetshëm, duke nxitur njerëzit të shkojnë ta blejnë tek fermeri të nesërmen. Pra, ka një diferencë mes shitjes së mirëfilltë dhe marketingut që i bëhet produkteve në këtë treg.
A do të ketë një organizim të dytë të këtij tregu dhe nëse po, kur?
Besoj se po. Tregu doli i suksesshëm dhe kishte shumë interes, si nga banorët, po ashtu edhe nga tregtarët, kështu që vitin tjetër në të njëjtën periudhë do të përseritet.
Cili ishte produkti ose atraksioni më i pëlqyer në Treg?
Është e vështirë të thuhet, por mendoj që atraksioni kryesor ishin patjetër ndër të tjera edhe dhia dhe delja (buzëqesh, duke iu referuar një pjese të rrethuar të tregut ku ndodheshin bagëti dhe shpendë të gjalla). Pra, e them me bindje se interesimi më i madh ishte kalimi i kohës në prani të kafshëve të gjalla, kjo ngjalli më shumë interes nga moshat më të vogla dhe prindërit e tyre rrjedhimisht.
A keni marrë një feedback për mbarëvajtjen e aktivitetit dhe nese po, cili ishte ai?
Feedback-u i siguruar në mënyrë individuale ishte shumë pozitiv, sidomos nga fermerët e përfshirë, pasi fermerët me produkte të mira patën edhe shitje të pëlqyeshme. Gjithashtu, u kuptua koncepti që ky treg është për promovimin e produkteve dhe jo për shitje masive. Ishte shumë interesante pasi një javë më pas ende flitej mbi mënyrën ‘‘si prodhohet ushqimi’’. Pra, çfarë po përdoret për ta spërkatur ose për ta rritur më shpejt, produktet që ne konsumojmë, pasi tani kanë dalë kimikate që e përgjysmojnë kohën e prodhimit të produkteve, duke injoruar dëmin që shkaktojnë. Më parë këto pyetje nuk diskutoheshin dhe kur dëgjova këto biseda kuptova se e arritëm qëllimit tonë për të ndërgjegjësuar disi njerëzit mbi produktet që konsumojnë në përditshmërinë e tyre.
Cili është mendimi juaj personal mbi prodhimin, tregtimin dhe konsumimin e produkteve BIO?
Mendimi im personal është që duhet të ketë më shumë prodhim vendas dhe të mos kemi import masiv. Nuk është e shëndetshme që ne të konsumojmë produkte të cilat vijnë nga vende të largëta dhe të ngrohta përshembull, pavarësisht që kjo sjell disa avantazhe, por sjell edhe shumë disavantazhe për sa i përket temperaturës së ruajtjes së produktit, sidomos kur ai është kultivuar me kimikate të dëmshme, si edhe duhet kuptuar se sjell edhe humbjen e mundësisë për të shfrytëzuar prodhimet e fermerit vendas. Duhet operuar në bazë të vlerave në rastin e tregut lokal, pra, të ketë transparencë me produktet, por në rast se këta fermerë prej nga ku ne marrim produktet tona të importuara nuk kanë asnjë kontakt me ne, kuptohet që do të mungojë kjo transparencë.
Duke marrë në konsideratë që gazeta jonë është një gazetë rinore, çfarë këshillë keni për të rinjtë si konsumatorë?
Këshilla ime për të rinjtë është të shikojnë mundësinë e blerjes tek fermerët lokalë. Gjithashtu, interesohuni se si prodhohet ushqimi juaj, sepse po shfaqen shumë sëmundje, që normalisht, pasojat reflektohen tek të rriturit, por tani po i shohim që këto sëmundje të prekin edhe grupmoshat e reja. Fatkeqësisht, kjo është e lidhur drejtpërdrejt me ushqimin që konsumojmë dhe cilësinë e tij.

Duke falënderuar z. Samuel Geiger për kohën dhe intervistën, urojmë që banorët dhe turistët pogradecarë të jenë më të vëmendshëm për produktet që konsumojnë, duke synuar ato BIO, sidomos nga tregu lokal, për një jetë më të shëndetshme.
Intervistoi: Vanesa Çela
Gazetare: Klea Gjika