7.2 C
Pogradec

Premtim i mbajtur

Në Janar kur shkuam tek familja Teço, në fshatin Niçë, pata mundësinë për të „vizituar“ shkollën e fshatit Osnat. Osnati ndodhet, gjithashtu, në zonën e Mokrës dhe është fshati i fundit në atë zonë i cili mund të arrihet akoma me automjet, më pas të gjitha fshatrat që vijnë, për shkak të mungesës së infrastrukturës së rënduar mund të arrihen vetëm me kafshë transporti si kuaj, mushka apo gomerë.

Rruga për në fshatin Osnat

Shkolla ishte një ndërtesë 2 katëshe, gati sa nuk po rrëzohej nga lagështira, dyert ishin të mbyllura me çelës, nuk dëgjohej asnjë lloj zhurme apo zë fëminor, që të të kujtonte që je në një ambient shkollor. Shëmbëllente shumë me një ndërtesë e dalë nga ndonjë skenar filmi fantastiko-shkencor, ku çdo gjë është braktisur, pa dritë, pa jetë dhe natyra ka filluar të triumfojë.

Ndërtesa e shkollës në fshatin Osnat

Pyeta dikë aty vërdallë nëse shkolla është funksionale apo nëse ka akoma fëmijë dhe më tha që po, madje atë ditë po zhvillohej mësim, gjë që më surprizoi, nisur nga pamja që sapo përshkrova më sipër. Personi që pyeta më ndihmoi të lajmëronim mësuesin përgjegjës dhe të vetmin në atë ndërtesë. Brenda disa minutave u dëgjua zhurmë çelësash nga brenda ndërtesës dhe dera u hap. U përballëvendosa me një fytyrë shumë të çuditur dhe skeptike, gjithashtu, edhe nga ana e tij mendoj që ka qenë një fytyrë (e imja) shumë e çuditur dhe skeptike. Gjithsesi, u prezantova, u futëm brenda dhe u ngjitëm në të vetmen klasë që ishte në gjendje për t’u përdorur dhe brenda saj ndodheshin vetëm dy fëmijë. Shumë shpejt në bisedë dolëm të njohur me mësuesin, pasi ai njihte Arnoldin. E si mund të ishte ndryshe, 32 vjet shërbim në Shqipëri rrjeti i njerëzve të cilët janë ndikuar nga Fondacioni Nehemiah Gateway Albania është mjaft i gjerë.

Nxënësit e vetëm në shkollën e fshatit Osnat

Ajo çka më bëri më së shumti përshtypje kur hyra brenda në shkollë, pavarësisht se kisha një lloj pritshmërie, përsëri ishte diçka që nuk isha përgatitur: Ishin vetëm 2 fëmijë me numër, vetëm dy fëmijë!

E pabesueshme për mua!

Klasa që ata kishin zgjedhur të përdornin ishte më e mirëmbajtura në të gjithë ndërtesën, mbante brenda akoma disa zbukurime të vitit të ri, ndriçimi, bankat, muret, dritaret linin për të dëshiruar. Diku në cep të klasës ishte ndezur një sobë druri, por gjithsesi klasa ishte e ftohtë dhe të dy fëmijët dhe mesuesi ishin të veshur me xhupa, shalle dhe dorashka. Tronditëse pamja, realiteti, pritshmëria dhe mbi të gjitha përkushtimi! Përkushtimi i mësuesit, prindërve dhe fëmijëve për të bërë të funskionojë një „sipërmarrje“ e atillë në një zonë të harruar të botës dhe të lënë pas dore për nga zhvillimi ekonomiko-social.

Atë ditë në ishim nisur për në Niçë, për tek familja Teço dhe nuk ishim përgatitur për vizitën që bëmë në shkollën e Osnatit, kështu që e vetmja gjë që ju dhuruam fëmijëve ishte nga një çokollatë dhe premtimin që herën tjetër, që do të vinim në atë zonë, do të sillnim dicka më të nevojshme për ta. Dhe, kështu u bë!

Kur u kthyem në Pogradec diskutuam së bashku me Nikoletën, drejtuesen e programit social në Buçimas për të parë mundësitë që kishim për të ndihmuar dhe organizuar një transport me materiale për të gjithë nxënësit e zonës, të cilët në total numëroheshin rreth 20 fëmijë. Ndihma nuk u kufizua vetëm në fshatin Osnat, por edhe në Niçë, Prenisht dhe Vërçun. Në të gjitha këto fshatra fëmijët janë të moshave të ndryshme, nuk janë shumë dhe nuk ndjekin arsimin parashkollor dhe fillor rregullisht, por shkolla për ta është edhe ambienti ku shpenzojnë ditën e tyre, duke luajtur dhe kaluar kohë me njëri tjetrin.

Disa momente nga shpërndarja nëpër fshatra. Mercedes G është një nga automjetet më të përshtatshme për të hyrë nëpër këto zona dhe që mundëson shpërndarjen e ndihmave

Kështu zgjidhja nuk vonoi të vinte dhe erdhi nga vetë nxënësit e Shkollës Nehemia, Buçimas, Pogradec. Materialet u mundësuan nga donacionet e nxënësve dhe prindërve të Shkollës Nehemia, si pjesë e nismës së ndërmarrë në kuadër të Ditës Ndëkombëtare të Varfërisë, një nismë që do të jetë aktive deri në qershor të vitit 2024. Nxënësit së bashku me prindërit dhuruan shuma monetare për mundësimin e pakove ushqimore për familjet në nevojë, si edhe për mjete didaktike për 20 fëmijët e fshatrave Prenisht, Osnat, Niçë dhe Vërçun. Fatkeqësisht, nga kjo nismë kuptuam edhe realitetin e rëndë që po prek këto zona, largimi i familjeve me fëmijë në zona me infrastukturë më të zhvilluar.

Pasi u organizua gjithçka nga programi social dhe nxënësit e Shkollës Nehemia, në nëntor, sipas kalendarit të shpërndarjes së pakove familjare u bë edhe dërgimi i materialeve didaktike. Së bashku me punonjëset sociale kontribuan edhe nxënës të shkollës në shpërndarjen që u bë nëpër fshatra, e cila për ta ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme – Premtim i mbajtur!

Nxënëse të Shkollës Nehemia me Viktorinë, një nga 4 vajzat e familjes Teço, të cilët jetojnë në fshatin Niçë. Viktoria kishte ardhur me xhaxhanë e saj, me kuaj që të mund të merrnin paketat ushqimore dhe mjetet shkollore që ishin përgatitur për ta dhe familje të tjera në Niçë
Viktoria dhe kali i familjes Teço, që përdoret si mjet transporti në fshat
Nxënëset e Shkollës Nehemia në një nga shkollat e zonës që u shpërndanë mjetet shkollore
Nxënëse e Shkollës Nehemia në shkollën e fshatit Osnat

U jemi mirënjohës nxënësve, prindërve, mësuesve, punonjësve sociale, shoferëve, vullnetarëve, të cilët e bënë realitet këtë nismë. Është një ndjesi shumë përmbushëse të japësh atje ku nuk ka. Një ndjesi që vetëm Perëndia e bën të mundur ta përjetosh. Do të ishte e kotë nëse unë do të mundohesha me fjalë të përshkruaja emocionet e fëmijëvë të cilët morën nga një paketë me mjete shkollore, por fotot, siç e dimë, flasin më shumë se 1000 fjalë.

Një premtim i kthyer në një nismë, i kthyer në një fjalë të mbajtur për të ndihmuar të dobëtit, për të vazhduar misionin tonë si NG Albania.

Artikull nga Eri Geiger, Fondacioni “NG Albania”

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Eksodi i të rinjve

Rinia po përballet çdo ditë me sfida gjithmonë e më të vështira, dy prej të cilave janë jetesa...

Jeta pas lufte!

Si vazhdohet jeta pas një lufte civile? Naphtali Gideon, nga Sudani Jugor, është një nga alumni-t e IAL...

Zhvillohet për herë të parë “Tregu i Fermerëve” në Buçimas, Pogradec (intervistë me z. Samuel Geiger)

Nis për herë të parë Tregu i Fermerëve në Pogradec, ideuar dhe organizuar nga Fondacioni Nehemiah Gateway Albania...

Të japësh atë që të është dhënë!

Askush nga ne nuk e meriton të lindë, të rritet apo të jetojë në një situatë jo të...