Edhe pse në kushte të vështira atmosferike realizohet me sukses konkursi dhe ekspozita “KUQEZI”, në datën 29 nëntor 2023, e organizuar nga Këshilli Rinor Pogradec me mbështetjen e Fondacionit Nehemiah Gateway Albania dhe Bashkisë Pogradec, në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci”, pranë Qendrës Multifunksionale Pogradec (QMFP), në të cilin u promovuan të gjithë të rinjtë e apasionuar pas pikturave dhe vizatimeve me motivin e Festave të Nëntorit.
Ky aktivitet bëri bashkë jo vetëm të rinjtë e talentuar pogradecarë, por edhe një pjesë të mirë të nxënësve dhe mësuesve nga shkolla të ndryshme të qytetit, anëtarësinë e KRP. Pas dorëzimit, punimet u shfaqën në ekspozitën “KUQEZI”, e cila u vlerësua nga një komision përzgjedhës i përbërë nga koordinatorët e KRP, z. Dorian Leka, znj. Vanesa Çela dhe znj. Klea Gjika dhe drejtori i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” z. Eritan Kamolli.
Ndër artistët e shumtë spikati: Livia Nasto, nxënëse e shkollës “Gjok Shqiptari”, së cilës iu dha çmimi inkurajues; Clara Geiger nga shkolla “Nehemia”, e cila mori çmimin e dytë dhe Renald Xhyra nga shkolla “Nehemia” i vlerësuar me çmimin e parë. Vlen të theksojmë që çmimi i parë nga i riu pranë shkollës “Nehemia”, Renald Xhyra u dhurua për pasurimin e fondit të Galerisë së Artit pranë Qendrës Kulturore “Lasgush Pogradeci”, QMFP, Bashkia Pogradec.
“Do të dëshiroja që këto aktivitete të intensifikohen duke vlerësuar maksimalisht punën e shkëlqyer që bën Këshilli Rinor Pogradec në qytet, për sa i përket aktivizimit dhe angazhimit të të rinjve. Duke vlerësuar të rinjtë e talentuar të pranishëm në aktivitetin e sotëm, ne shprehim gadishmërinë tonë për bashkëpunime të tjera, që lidhen jo vetëm me data të caktuara, por edhe me aktivitete të ndryshme për të cilat kanë interes të rinjtë në Pogradec”. – u shpreh drejtori i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” z. Eritan Kamolli. Moderimi u bë nga koordinatorët e KRP, Klea Gjika e Vanesa Çela, të cilat ndanë me të pranishmit detaje organizative nga eventi. Gjatë ceremonisë së shpërndarjes së certifikatave, për fituesit e lartpërmendur u dhanë edhe disa dhurata simbolike nga ana e Këshillit Rinor Pogradec.
Ndërkohë, z. Dorian Leka, Koordinator/Themelues i KRP-së, ndau me sallën disa plane të mëtejshme për Këshillin Rinor Pogradec, duke vendosur theksin tek aktivitetet në proces, të caktuara për t’u zhvilluar pa u mbyllur viti 2023, si: Aktiviteti VIP Talk & Share, Christmas Market, i cili erdhi edhe këtë vit me aktivitete të ndryshme për fëmijë dhe të rinj në javën e dytë të dhjetorit pranë kampusit të Fondacionit ”Nehemiah Gateway Albania”, si edhe Kino-Christmas – java e filmave të Krishtlindjes.
Suksese të përzemërta të gjithë të rinjve të talentuar të Pogradecit!
Gazetare: Maria Balliu