Një ndër aktivitetet e përvitshme të organizuara nga Këshilli Rinor Pogradec, është aktiviteti Vip Talk & Share, edicioni i tretë, i organizuar këtë vit në datën 8 dhjetor 2023, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Në ndryshim nga vitet e tjera, vjen në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Lasgush Poradeci” pranë Qendrës Multifunksionale Pogradec, ne sallën e Galerisë së Artit.
Ky organizim cilësohet nga të rinjtë si një seancë këshillimi karriere, e zhvilluar në formën e intervistave me të rinj të suksesshëm që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës. Pjesëtarët e KRP mundën të zbulonin më shumë rreth studimeve, jetesës dhe punësimit në disa shtete europiane dhe amerikane.
Të ftuarit specialë të këtij viti ishin z. Rigels Xhemollari (Shqipëri), znj. Loridela Beqari (USA), znj. Meri Gjika (Itali), z. Eduart Gjona (Gjermani). Ata ndanë me të pranishmit në sallë eksperiencat personale e këshilla rreth emigrimit, sipërmarrjes, veshtirësive dhe përparësive të ndërmarrjes të hapave të tyre. Në fund të aktivitetit, në mirënjohje të kontributit të të rinjve pogradecarë që jetojnë jashtë vendit, por vijojnë të ndihmojnë të rinjtë në Pogradec, koordinatorët e KRP dhanë Certifikatë Vlerësimi për ta.
Gazetare: Ilva Meçi