5 C
Pogradec

Ejani, udhëtim me të ardhmen: Për Pogradecin e pastër (transkriptim i edicionit të Radio Ejani, Nov. 11. 2023)

Një mendje e ndritur ka thënë se rinia i ka të pastra qëllimet dhe ndjenjat e saj. Radio EJANI udhëtoi në disa qytete të vendit për të zbuluar disa prej organizimeve rinore që ndihmojnë në aktivizmin e të rinjve. Që nga forcimi i pozitës së të rinjve në shoqëri, aktivizmi në nisma, që mbrojnë trashgiminë, mjedisin e deri te pasionet që kanë sjellë risi në art dhe sport. Në Pogradec të rinjtë e Këshillit Rinor janë angazhuar maksimalisht në jetën e qytetit. Mjedisi në qytetin liqenor është nje fushë që ata e kanë për zemër.
Ky liqen, ndër më të vjetërit dhe më të thellët në Europë, është syri i hapur i Pogradecit, një qytet në juglindje të Shqipërisë. Këta janë të rinjtë pogradecarë që kanë formuar prej disa vitesh Këshillin Rinor të qytetit piktoresk.

Gjatë inçizimit të një takimi pune të KRP, vendi: Youth Hub, COSV në Shqipëri, Pogradec

Këshilli Rinor Pogradec aktivizon të rinjtë që indentifikohen me talente të veçanta dhe këta të rinj që spikatin në qytetin e Pogradecit kanë nevojë për mbështetje. Këshilli Rinor Pogradec ka synim, jo vetëm evidentimin e tyre por edhe gjithëpërfshirjen, mbështetjen dhe promovimin e të rinjve të talentuar. Natyrisht nëse të rinjtë i mbështet për të bërë aktivitete që ata kanë dëshirë dhe sipas preferencave të tyre do të prodhohej pa diskutim një qytet më atraktiv edhe për turistët, por edhe më i bukur për banorët. Më së fundi le të jetë dhe qyteti i të rinjve jo vetëm qyteti i pensionistëve siç thuhet. – u shpreh z. Dorian Leka, themelues dhe koordinator i KRP.
Talenti i të rinjve është në fokus të veprimtarisë të këtij këshilli, i cili ka thirrur në gjirin e tij tashmë mbi 30 anëtarë që përpiqen t’i zbukurojnë jetën bashkëmoshatarëve me aktivitete të ndryshme.
Dëshira ime ka qenë gjithmonë që të jem pjesë e një rinie aktive në qytetin e Pogradecit. Opsioni i parë ishte Këshilli Rinor Pogradec. Një ndër aktivitetet e mia më të preferuara është Day & Night Activities, ku të gjithë të rinjtë bëhen bashkë në bregun e liqenit me aktivitete/lojëra nga më të ndryshmet. – u shpreh Ilva Meçi, anëtare e KRP.

Ilva Meçi, Kryeredaktore e Gazetës Rinore ”Letër e Hapur”

Të rinjtë e Këshillit Rinor Pogradec kanë patur fatin dhe rastin të bëjnë disa aktivitete që tashmë janë shndërruar në traditë në qytetin tonë, për shembull, aktiviteti VIP Talk & Share, aktivitete për rastin e çeljes së sezonit, aktivitete si Day & Night Activities që bëhet gjatë verës dhe përfshin aktivitete të ndryshme gjatë gjithë ditës, me të rinj që janë të apasionuar pas sporteve, jo vetëm pas artit e kulturës, po jo pak edhe në fushën edukativo-rinore apo edhe në fushën e arsimit. Të rinjtë kanë aktivitete që evidentojnë të rinj të tjerë të talentuar të artit e letërsisë me aktivitete si Besniku i librit ku promovohen ata që kanë kartelën më të pasur në bibliotekën e qytetit. – u shpreh Dorian Leka.
Kjo gazetë nisi si një ide e bukur nga ky grup të rinjsh dhe me ndihmën e donatorëve mori jetë. Letër e hapur shpërfaq problemet si dhe talentin duke u bërë një puls rinor i Pogradecit.
Me mbështetjen e një projekti të Lëviz Albania dhe Agjencisë Zviceriane për Zhvillim në bashkëpunim, nisi si një ide, si një nevojë e të rinjve për të pasur një zë në media kryesisht ne median e shkruar dhe tashmë është ende aktive duke prodhuar artikuj që atyre ju interesojnë më shumë për të evidentuar edhe raste nga qyteti, por edhe problematika, për të monitoruar se si zgjidhen këto problematika, por edhe për të promovuar veten e tyre. Tashmë, gazeta rinore ”Letër e Hapur” operon online dhe është një aktivitet më shumë për të rinjtë. I mban ata solidë, të bashkuar dhe aktivë gjatë gjithë kohës. – u shpreh Dorian Leka.
Në një qytet liqenor, vëmendja ndaj mjedisit duhet të jetë e dyfishtë. Personazhet tanë kanë gjetur mënyrën e tyre për të ndërgjegjësuar banorët dhe turistët për të mos ndotur këtë mjedis të qytetit të luleve.
Kemi bërë disa materiale të shkurtra filmike në bashkëpunim edhe me organizata të tjera, për të ndërgjegjësuar banorët, për të ndërgjegjësuar edhe turistët se si duhet trajtuar mjedisi, në një qytet turistik sidomos. Ne këtu vlerësojmë bashkëpunimet që kemi arritur të nxjerrim disa filma me metrazh të shkurtër. Më i fundit ka qenë Dramatic Pause dhe është një film që ndërgjegjëson qytetarët, të jenë të kujdesshëm me ndotjen e ambientit sepse kjo mund të na sjellë një të ardhme të afërt, ku jetojnë të asfiksuar, pa oksigjenin që marrim nëpërmjet gjelbërimit në qytetin e luleve dhe pa mundësitë e panumërta që na ofron liqeni i pasur dhe i bukur i qytetit të Pogradecit. – u shpreh Dorian Leka.

Gjatë konceptimi të ekspeditës në natyrë ”Visit Pogradec”, majtas, në këmbë, Dorian Leka, themelues/koordinator i KRP

Me këtë mision aktiviteti më i fundit i të rinjve në këtë shtator është ky vështrim turistik në fshatin kufitar Lin, me gjurmë të hershme të qytetërimit. Tërheq vëmendjen edhe kjo kishë origjinale e ndërtuar në një bunker.
Unë mendoj se dita-ditës dhe aktivitet pas aktiviteti ne po zhvillojmë jo vetëm talentet e të rinjve, por gjithashtu edhe imazhin e qytetit tonë që të jetë sa më atraktiv në një të ardhme. – u shpreh Ilva Meçi.
Janë rreth 120 aktivitete që organizohen nga Këshilli Rinor i Pogradecit, gjatë një viti. Këta të rinj po përpiqen ditë pas dite t’i japin një frymëmarrje më shumë qytetit të tyre liqenor.
Ejani! Ne punojmë për Pogradecin e pastër, për Pogradecin turistik.

Transkriptoi: Ilva Meçi, Kryeredaktore

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Rikonstituimi i KRP për vitin 2023/2024

Në një ngjarje solemne të zhvilluar në sallën e Këshillit Bashkiak të Pogradecit, Këshilli Rinor Pogradec (KRP) ka...

Informacion, mirënjohje dhe falënderime (Dita e Punëtorëve)

Këshilli Rinor Pogradec, me rastin e "1 Majit", ka zgjedhur të urojë të gjithë lexuesit e Gazetës Rinore...

Legjendat e Gjolit – Aty ku e shkuara i flet të tashmes

Bashkëpunimet e Këshillit Rinor Pogradec kanë qenë të larmishme ndër vite, por nuk e hiperbolizoj aspak kur shprehem...

Ngritja e GLR – Zjarri nis me një shkëndijë!

Unë kam qenë që në fillimet e ngritjes së GLR Vorë dhe më pëlqeu angazhimi vullnetar, sepse e...