Padyshim që një plagë e madhe e shoqërisë shqiptare mbeten problematikat që çdo ditë shqetësojnë të rinjtë. Shkalla e lartë e papunësisë, mungesa e arsimit kualitativ, hapësirat e kufizuara për pjesëmarrjen e të rinjve në jetën publike dhe institucionale, aktivizimi i tyre, janë vetëm disa nga problemet me të cilat përballen të rinjtë në Shqipëri. Aktivizimi i të rinjve është një pikë kyçe, sepse rinia ka aftësi shumë të madhe, ka vullnet për ndryshim dhe kontribuim, si edhe rinia mund të kthehet në një katalizator për çdo sistem. Rritja e përfaqësimit të tyre në procesin e vendimmarrjes për problemet që i prekin, nxitja dhe lehtësimi i krijimit të organizatave rinore të afta për të hartuar dhe implementuar projekte, për të ndikuar tek të rinjtë dhe jeta e tyre, janë mirëpërcaktuar në nenet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Këto ligje mund të bëjnë ndryshimin dhe të ndikojnë në fuqizimin e tyre për të mos patur këto probleme që të rinjtë hasin sot. Si një forcë rinovuese e vendit, zëri i rinisë duhet të dëgjohet. Rinia ka nevojë për mbështetje që të mund të eci përpara. Organizatat rinore mund të jenë një mjet i denjë për rritjen e shkallës së aktivizimit dhe vendimmarrjes së të rinjve. Sipas ligjit për organizatat rinore, ato duhet të kenë financime nga organet e pushtetit qendror, vendor dhe fondit grant të dedikuar për rininë. Kjo pikë shumë e rëndësishme sjell jo vetëm nxitjen e pjesëmarrjes së të rinjve në to, por edhe mundësi shumë të mira për emancipimin e mëtejshëm të tyre. Organizatat rinore në vendin tonë duhet të kenë një buxhet të mjaftueshëm që të mund t’ju premtojnë atyre dhe t’i nxitin më tej në iniciativa të reja. Ligjet janë arma më e fuqishme që mund të kenë të rinjtë sot!
Gazetare: Sara Basha
Maj – Qershor 2020