Një nga pasuritë e shumta që ka krahina e Mokrës janë dhe burimet e pasura ujore. Në Mokër, në afërsi të Vlamarës (2373 m mbi nivelin e detit), buron lumi Shkumbin , një nga lumenjtë kryesor të vendit tonë, gjatësia e këtij lumi nga vendburimi deri në grykderdhjen e tij në Adriatik është 181 km, ndërsa prurja e ujit arrin vlerën mesatare vjetore prej 61m³/s. Ka disa vite që në zonën e Mokrës, të paktën 10 vjet, ka nisur ndërtimi i hidrocentraleve, të cilët shfrytëzojnë rrjedhën e sipërme të lumit Shkumbin. Nga informacionet e mia, kanë përfunduar dhe janë vënë në punë rreth 10 të tillë. Që në nisjen e hidrocentralit të parë vazhdon të rritet numri i tyre, edhe sot që flasim kemi leje të reja që aprovohen. Unë personalisht nuk jam kundër ndërtimit të tyre në vetvete, por mënyra si po veprohet me ndërtimin e tyre më shqetëson, numri i madh i tyre në një gjatësi kaq të vogël shtrati lumi është një problem madhor që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Uji është një burim i pastër i prodhimit të energjisë elektrike dhe mjaft eficent.
Ndërtimi i hidrocentraleve po bëhet pa një vlerësim real të efekteve negative që ato sjellin në mjedis, përmendim këtu efektet negative të drejtpërdrejta në: biodiversitët, bujqësi, turizëm etj. Pjesa më e madhe e hidrocentraleve të ndërtuar në Mokër janë ndërtuar pa respektuar standartet minimale mjedisore dhe ato për mbrojtjen e faunës së lumenjve. Kushtet për vendkalimin e peshqve nuk janë marrë fare në konsideratë gjatë ndërtimit të tyre. Të gjithë këto hidrocentrale kanë bllokuar rrjedhën normale të shtratit të lumit me barrier betony, për ta orientuar ujin drejt tubacioneve,apo veprave të marrjes siç i quajnë ndërtuesit, duke e bërë të pamundur kalimin e peshqve në to. Peshqit duhet të ngjiten në pjesën e sipërme të lumenjve për të lëshuar vezët, gjë që është e pamundur tashmë pas ndërtimit të hidrocentraleve, duke rrezikuar zhdukjen e këtyre specieve.
Nga një vëzhgim në terren dhe nga bisedat e ndryshme që kam bërë me peshkatarët që gjuajnë në këtë lum, trofta e Shkumbinit është drejt zhdukjes, sasia e saj e kapur në krahasim me disa vite më parë është shumë më e vogël, dhe kjo sigurisht për shkak të ndërtimit të këtyre “përbindëshave” në shtratin e lumit. Një aspekt tjetër mjaft negativ është sepse hidrocentralet fusin 100% të sasisë së ujit të lumit në tubacione, duke çuar në tharjen totale të shtratit të lumit, minimumi që duhet të bënin ishte të linin rreth 30-40% të ujit të rridhte në shtratin e tij natyral. Pra praktikisht futja 100% e ujit në tubacion është vdekja reale e lumit, që dikur gurgullonte në të katërta stinët e vitit dhe sot fatkeqësisht ai hesht, por jo për faj të tij, por për fajin tonë, të mënyrës së zhvillimit në “kurriz” të natyrës. Nga punimet e kryera për ndërtimin e tyre është krijuar mjaft erozion në sipërfaqe, dëmtim të peisazheve mahnitëse që kishte zona dikur. Gjithashtu do të veçoja dhe hapjen e rrugëve të reja që kanë shërbyer për ndërtimin e tyre, rrugë të cilat kanë çuar në dëmtimin e shtuar të pyjeve të zonës. Pa u ndërtuar këto rrugë ka qenë pothuajse e pamundur mbërritja në to, sot këto rrugë e kanë lehtësuar punën e personave të papërgjegjshëm që merren me tregtinë e materialit drusor, duke çuar në dëmtimin e pyjeve.
Ndërtimi i tyre po vazhdon me ritme të shpejta, ku hidrocentrali i fundit është parashikuar të ndërtohet në burimin kryesor të lumit Shkumbin, pra tubacionet të shtrihen deri në Valamare. Përveç rrjedhës kryesore të lumit, në tubacione po përfundojnë dhe degëzimet e tjera të këtij ujëmbledhësi. Tashmë, rreth 40 km gjatësi lineare e lumit në zonën e Mokrës ka përfunduar në tubacione, duke filluar nga hidrocentrali i parë i ndërtuar në afërsi të fshatit Slabinjë. Pra, ndërtimi i hidrocentraleve po çon në dëmtimin e habitateve, aksidentimin e terreneve, uljen e biodiversitetit, shkatërrimin e pyjeve, si dhe mund të ketë efekte negative në burimet nënujore të vendit tonë, efekte të cilat mund të çojnë në një problem akoma më madhor në të ardhmen jo shumë të largët, duke përmendur këtu dhe efektet që vijnë nga ndryshimet klimatike.
Kërkesat e vendit për energji elektrike janë rritur në mënyrë të ndjeshme këto vitet e fundit. Qeveritë shqiptare kanë patur dhe vazhdojnë të kenë si objektiv kryesor rritjen e investimeve në fushën e energjisë elektrike, zhvillimin e projekteve për ndërtimin e hidrocentraleve që do të garantojnë më shumë enregji elektrike, për të mbuluar kërkesën e brendshme gjithmonë në rritje, apo për të synuar dhe eksportin e saj. Strategjia për zhvillimin e sektorit të energjisë, duhet të zhvillohet në përputhje me interesin kombëtar të vendit, në përputhje me mbrojtjen e natyrës, në përputhje me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë, në përputhje me strategjitë e tjera të rëndësishme si zhvillimi i turizmit. Zona e Mokrës do të kishte një të ardhme më të ndritur po të kishte një strategji për zhvillimin turistik të saj, duke mos prekur natyrën mahnitëse që ka zona, ndërthurur kjo me historinë, kulturën, traditat dhe kulinarinë e saj të pasur. Ka alternativa të tjera shumë më miqësore me mjedisin për të plotësuar nevojat e vendit me energji elektrike, sic janë: impiantët fotovoltaike, apo dhe parqet e ndryshme që prodhojnë enregji nga era. Marrëdhënia që njeriu vendos me natyrën, është shumë e rëndësishme për të përcaktuar një zhvillim të qëndrueshëm të saj, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos na gjykojnë për vendimet e gabuara që merren sot.
Dua të ndaj një histori personale në lidhje me këtë lumë. Unë kam mësuar të notoj pikerisht në këtë lum, le të themi kursin e notit e kam bërë pikërisht këtu. Para rreth 20 vitesh, gjatë muajve të nxehtë të verës shkonim shpesh për t’u freskuar bashkë me moshatarët e mi, por kur kthehem sot në po të njëjtat vende ku shkoja si fëmijë, nuk është më si më parë, lumi nuk ekziston më, shtrati i tij tashmë lëngon, nuk ka më ujë
Gani BEGO Inxhinier Pyjesh
Korrik – Gusht 2020