8 C
Pogradec

Motivi ballkanik dhe europian i disa prej baladave të mirënjohura në folklorin tonë dhe jo vetëm, Pjesa e II-të (Kënga e Halil Garrisë)

Në pjesën e dytë të këtij shkrimi, do tentojmë të hedhim dritë mbi variantet e ndryshme të poemës (baladës) dhe të bëjmë disa krahasime të disa varianteve më të përhapura në Shqipëri. Pamë motivin e Lenorës, i cili është diçka tjetër dhe “motivi i vëllait të vdekur”, diçka tjetër. Lenorën, kryesisht prozë, e hasim në Angli e Skandinavi, Gjermani, Francë e Itali, shtrihet te hungarezët, te kinezët, lituanët, letonët, rumunët, armenët, duke arritur deri te sllovenët. Ndërsa në jug, në hapësirën serbokroate, maqedonase, bullgare, rumune, shqiptare e greke motivi i Lenorës nuk ekziston. Aty haset, përgjithësisht në stil baladë, motivi i “vëllait të vdekur”. Cili variant ka qenë fillestari? Disa studiues mendojnë se mund të kenë qenë të pavarura njëra nga tjetra. Studiuesi rumun D.Korakostea, shkruan: “Marrëdhënia midis vëllait e motrës në traditën sipas së cilës i vdekuri udhëton natën me kalë, është më e vjetër se në tregimin, sipas të cilit i vdekuri i hipën kalit natën me të fejuarën e vet”.

Pra, në Ballkan, ku gjinia, familja e madhe patriarkale, për arsye të caktuara historiko-shoqërore ishin shumë më të forta, jetuan më gjatë e më fuqishëm marrëdhëniet midis vëllait e motrës në këngën e vëllait të vdekur e na dhanë marrëdhënie të një dashurie vëllazërore prekëse. Kurse në pjesën tjetër të Evropës, ku zhvillimi historik e shoqëror ndoqi një rrjedhë të ndryshme, në këngë shfaqen dy personazhe disi të rinj: i fejuari me të fejuarën, i dashuri me të dashurën, burri me gruan.

Në traditën gojore shqiptare kënga e “vëllait të vdekur” gjendet në tri grupe të përcaktuara mirë: në atë që populli i quan kënga e Halil Garrisë, në këngën e Dhoqinës dhe në këngën e Kostandinit e Garentinës. KËNGA E HALIL GARRISË Është epike, e rëndë, tronditëse. Është kënga e një familjeje të madhe që shuhet, vëllezërit, motra, nëna vdesin nga dashuria e madhe për njëri-tjetrin. Duket si fitore e plotë e vdekjes, por në të vërtetë, është triumfi i jetës. Vëllai i vdekur çohet nga varri dhe mban besën që i ka dhënë së motrës. Atë e “ka xanë varri me besë t’dhanë”. Është kënga e njeriut, himn për të, triumfi i tij mbi vdekjen. Janë analizuar 75 variante të kësaj kënge, të hasura më së shumti në Shkodër dhe në pjesë të ndryshme të Kosovës. Në 75 variantet shqiptare të Halil Garrisë, 5 janë fare pa emër, ndërsa 52 kanë vetëm emrin e vëllait të vdekur.

Emri i motrës shfaqet më vonë. Një dukuri të tillë (52 variante vetëm me emrin e vëllait pa atë të motrës), nuk e shohim në gjithë përvojën ballkanike : nga 43 variante greke, krahas emrit të Konstandinit është edhe ai i motrës (me përjashtim të një varianti), ndërsa në 77 këngë bullgare e maqedonase, emri i motrës mungon vetëm një herë. Numri i vëllezërve është zakonisht 7 ose 9. Prej gojës së vëllait të vdekur motra mëson se vëllezërit janë martuar, por nuset e nipërit mbeten simbolikë. Askund s’e gjejmë nënën plakë me fëmijë ndër duar, siç ndodh në variantet bullgare e maqedonase. Babai nuk përmendet asnjëherë në gjithë këngën e Halil Garrisë te shqiptarët. Motra martohet “7 vjet larg… 9 muaj larg… 9 ditë larg” ose “7 ditë rrugë larg… 7 konaqe larg”. Ku janë 7 vëllezër, janë 7 ditë rrugë larg; ku janë 9, janë 9 ditë rrugë larg. Motivi që e bind motrën – besa. I vogli, i jep motrës – vetëm e gjithnjë asaj – besën se do shkojë ta marrë. Premtimin në 31 variante, bën Halili; në të tjerat, premtimi bëhet në emër të vëllazërisë. Në të gjithë variantet, vëllanë e çon prej varrit malli, vajtimi dhe lotët e së motrës; I nënës asnjëherë.

Në të 75 variantet, vëllai i vdekur çohet vetë, vetëm në 41 variante, e ngre Zoti në 28 dhe në 6 nuk thuhet fare. Ndërmjetës të tjerë, hyjnorë a shenjtorë, nuk ka. Kjo tregon që Kënga e Halil Garrisë është shumë pranë rrëfenjës fillestare, kur i vdekuri çohet nga varri vetëm po t’ia prishnin qetësinë. Halili shkon te motra përgjithësisht me kalë; në disa variante nuk thuhet fare me se ecën (le të nënkuptohet se shkon në këmbë). Nuk shohim asgjëkundi që të vdekurit t’i bëhet “kalë rrasa e varrit”, si në këngën e Dhoqinës e të Konstandinit e Garentinës. Kali është gjithmonë i gjallë. Te kënga e Dhoqinës: “rrasa bëhet kalë/balta bëhet shalë”. Te “Konstandini e Garentina” guri i varrit i bëhet “kalë i harbuar”, rrethi “fre i argjendtë”. Kënga e Halil Garrisë nuk është e mbushur me truke të tilla artistike me të cilat, jo pa arsye, është e mbushur. Edhe kënga e popujve të tjerë. “Halil Garria” është këngë tepër e mbyllur. Ajo shënon fazën e parë të baladës së “vëllait të vdekur”. Ajo zhvillohet kryesisht brenda vetvetes.

Klemend Guçi Mësues, Gjimnazi “Gjergj Pekmezi’’, Pogradec

Korrik – Gusht 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

Edhe këtë vit Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë bëri tok kineastë, regjisorë, aktorë dhe plot dashamirës së...

‘‘N’Oborr’’ bën tok të rinjtë

Zhvillohet edicioni i radhës së Javës së Aktiviteteve pranë shkollës së mesme ‘‘Muharrem Çollaku’’, shndërruar tashmë në traditë,...

Kënga e Dhoqinës

Nëntë djem e një të vetme vajzë kishte një nënë. Më i vogli i vëllezërve, Kostandini, e martoi...

Premtimi për Teatrin e Kukullave “Pirro Xëci”

Në datën 01.06.2020, në qytetin e Pogradecit, tek Qendra Kulturore u bë tubimi i zhvilluar nga aktorët e...