Grupi i monitoruesëve të gazetës “Letër e Hapur”, pasi shqyrtoi disa nga problematikat më të spikatura në qytet, doli në përfundimin se tematikat që duhet të trajtoheshin për të adresuar zgjidhjet e duhura janë: “Sa shqetësuese është situata e qenve endacakë, dhe në qoftë se ka probleme me ta, a dihet se ku të kontaktohet? A është shqetësuese prania e personave që lypin në qytet, dhe a ështe interesuar ndonjë qytetar pranë institucioneve përkatëse, me qëllim ardhjen në ndihmë të këtyre individëve? Sa shqetësues shfaqet trafikimi i drogërave në ambientet e shkollës, si një problem delikat i cili duhet adresuar dhe trajtuar me kujdes të veçantë? A ka në Pogradec “roje plazhi” dhe sa i rëndësishëm është roli i tyre?” Janë këto tematikat kryesore në qytetin e Pogradecit, të cilat përveç shqetësimeve të shumta, sjellin edhe një sërë problematikash më vete. Grupi monitorues përpiloi një sondazh lidhur me këto problematika, i cili u shpërnda mes qytetarëve pogradecarë. Le të ndalemi konkretisht në secilën prej tyre.
Qytetarët e Pogradecit çdo ditë përballen me qentë endacakë. Ky është një problem që ka qenë dhe është shqetësues, dhe më tepër se i tillë, për shumicën e qytetarëve edhe frikësues. Grumbuj të shumtë qensh, ecin pa patur frikë dhe pa u shqetësuar fare. Ata që shqetësohen për këtë fakt janë banorët të cilët ndihen të rrezikuar nga prania e tyre. Në rezultatet monitoruese vihet re se 62,9% janë shprehur se qentë endacakë janë me të vërtetë një problematikë shqetësuese. Miqësorë në pamje të parë, por agresivë nëse u afrohesh shumë. Ka pasur raste ku qytetarët janë sulmuar nga qentë, por askush nuk merr masa për të zgjidhur një problem si ky. Qentë endacakë nuk ushqehen nga të zotë, pasi nuk kanë një të tillë. Pra problemi i parë ndiqet nga një tjetër problem. Fakti që qentë e rrugëve nuk kanë se ku të ushqehen, i çon ata drejt koshave të mbeturinave. Kërkimi i tyre për ushqim është shumë i rrëmujshëm, dhe mbi të gjitha krijon një gjendje të padëshiruar rreth koshave të mbeturinave. Kjo përveç prezencës së tyre sjell një shqetësim për banorët e qytetit, si edhe për turistët gjatë sesionit turistik. Gjithashtu kjo gjendje prish edhe pamjen piktoreske të qytetit. Problemi është shumë i madh dhe i pranuar nga të gjithë, por askush nuk interesohet për ta zgjidhur, pasi pothuajse 85% e banorëve (pjesëmarrës në sondazh), nuk dinë se ku ta adresojnë problemin rreth qenve endacakë.
Por ky nuk është problemi i vetëm për banorët. Prania e personave që lypin në rrugë është dhe mbetet po aq shqetësues sidomos gjatë sezonit turistik. Por a ka qytetarë të interesuar? Realisht nuk ka qytetarë të cilët të jenë paraqitur pranë institucioneve përkatëse, me qëllim strehimin e këtyre individëve, kjo e ka bërë këtë problem të zhytet më shumë në harresë. Kjo gjë vihet re edhe në rezultatet monitoruese, ku rreth 80.2% nga 106 persona që morën pjesë në sondazh, nuk shfaqin interesim për këta individë.
Midis problemeve në qytet, ndodhet dhe problemi më i madh i hasur nëpër shkolla. Trafikimi i drogërave në ambientet e shkollës, mbetet problemi më delikat. Ky problem sa vjen dhe po rritet dhe nuk ka marrë ndonjë zgjidhje, pavarësisht ndërhyrjeve nga institucionet përgjegjëse. Mungesa e kontrolleve nga ana e policisë, mbipopullimi me nxënës, po e bëjnë gjithnjë e më të pamenaxhueshëm këtë fenomen. Konstatohet se 96.2% e qytetarëve pjesëmarrës në sondazh, e shohin trafikimin e drogërave një problem delikat, i cili do përkujdesje të veçantë. Të rinjtë nëpër shkolla për shkak të moshës së tyre, formimit, papjekurisë mendore dhe fizike, janë grupi më shumë i ekspozuar ndaj rrezikut dhe për këtë arsye ata kanë nevojë për mbrojte dhe përkujdesje të veçantë nga ana e familjeve të tyre, shoqërisë dhe instancave përkatëse. Përmirësimi i legjislacionit ka sjellë edhe mënyra për mbështetjen e tyre. Kjo gjë është arritur nga programet e punonjësve të policisë, që prezantohen në shkolla, si edhe bashkëpunimit me oficerët e sigurisë, për të arritur ndërgjegjësimin rreth këtij fenomeni. Megjithëse duhet përmendur se ekzistojnë mangësi dhe probleme midis legjislacionit të shkruar dhe implementimit të tij, shpresojmë që në qytetin e Pogradecit të mos kemi problematika të këtij lloji.
Si të tjera probleme gjatë sesionit turistik të përmendura më sipër, një prej tyre që lidhet ngushtë me turizmin liqenor, ështe edhe mungesa e “rojeve të plazhit”. Plazhi në Pogradec nuk përfill rregullin për roje bregliqenore. Rregullat janë vendosur me vendim qeverie, por praktikisht nuk ka asgjë konkrete. Tashmë dihet si problematikë, por nuk kemi asnjë reagim nga Bashkia Pogradec, për vendosjen e rojeve të plazhit. Jemi në fund të sezonit veror dhe ashtu siç vihet re edhe në shqyrtimin e kësaj tematike, pothuajse nuk dihet të ketë ‘roje plazhi’, ku 63.2% shprehen për mungesë të tyre, dhe pjesa tjetër nuk e dinë nëse ka roje plazhi apo jo. Në Pogradec nuk ka roje bregliqenore që financohen nga Bashkia e Pogradecit, megjithëse dihet roli i tyre.
Janë këto problematikat më të spikatura në qytetin të Pogradecit, ku kërkohet edhe nga institucionet përkatëse adresimi dhe zgjidhja e tyre. Kjo do të sjellë përveç të gjithash, vetëm përmirësim!
Gazetare: Mateo Yskollari
Korrik – Gusht 2020