Robert Frost thotë: “Gjysma e botës ka diçka për të thënë dhe nuk mundet, gjysma tjetër nuk ka diçka për të thënë dhe nuk pushon së foluri. “ Është privilegj të gëzosh dhe ushtrosh të drejtën e fjalës, por është privilegj akoma më i madh të jesh pjesë e një grupimi rinor i cili me zërin e vet përfaqëson çdo nevojë dhe kërkesë të komunitetit rinor të qytetit. Gazeta rinore “Letër e Hapur” është një projekt ende në ndërtim, i cili vazhdon të plotësohet me çdo numër që publikohet. Ne këto momente është vështirë të gjykosh sesi do të rezultojë në përfundim, por bazuar në progresin e deritanishëm, pritshmëritë janë vërtet të larta. Sapo përfunduam edhe numrin e tretë të gazetës dhe do të ishte mirë që të gjithë si staf të kthenim kokën pas për të parë rrugëtimin që kemi bërë deri tani.
Kur unë kthej kokën pas nuk shoh vetëm një punë disa mujore të 24 të rinjve. Duke qënë kaq pranë punës që bëhet unë kam mundësinë të depërtoj pak më thellësisht dhe ta shoh gjithë këtë punë nga një tjetër prespektivë. Unë mund të shkruaj sot për vështirësitë e shumta që na kanë shoqëruar në rrugëtimin tonë. Mund të shpenzoj shumë kohë duke u ankuar sesi një gjë apo një tjetër mund të ishte bërë ndryshe, duke listuar problematikat në procesin e punës e duke folur për gabime të vogla që duhen ndrequr. Por në vend të kësaj unë kam shumë dëshirë të flas për aspektet e shumta pozitive të këtij procesi. Më së shumti më tërheq vëmendjen “rritja” e të gjithëve ne. 5 muaj më pare, kur filloi puna për numrin e parë të gazetës, ne ishim vetëm disa të rinj të ndrojtur dhe të vendosur para një detyre të panjohur dhe një përgjegjësie me peshë. Atëherë, ende të panjohur me detyrën e një gazetari, ndoshta kishim edhe ndrojtje të trokisnim në dyert e institucioneve për të ..kërkuar informacion. Ndoshta në artikujt e parë i kemi limituar vetes dhe bashkëmoshatarëve tanë shumëçka por sot ndodhemi në një pozicion krejt ndryshe.
Sot, tre numra më pas nuk na mungon vetëbesimi, përkundrazi, duke njohur të drejtat që gëzojmë në rradhë të parë si qytetarë të rinj dhe si gazetarë dhe sigurisht me mbështetjen e shumë aktorëve të tjerë lokalë, ne jemi plotësisht të vetëdijshëm për ndryshimin që mund të sjellim në komunitetin tonë. Mendoj se është e lehtë të vihet re nga mënyra e menaxhimit të punës, artikujt e botuar dhe aktivitetet e organizuara, rritja profesionale dhe personale e të gjithëve ne si individë por edhe si grup. Siç e përmenda më lart, gazeta është ende një projekt në ndërtim, por mjeshtëria e vërtetë qëndron në hedhjen e themeleve. Ky është kriteri kryesor, baza nga ku fillon gjithçka dhe ku përcaktohet qëndrueshmëria e një projekti afatgjatë. Duke filluar që nga aktorët që bënë të mundur fillesat e këtij projekti, tek dy mbështetësit më të afërt të tij dhe deri tek të rinjtë, është formuar një grup shumë solid i mbështetur në përgjegjësitë individuale dhe dëshirën e vullnetin personal për të kontribuar nga koha e tyre.
Bashkëpunimi dhe ndërveprimi me njëri tjetrin janë element shumë të domosdoshëm për mbarëvajtjen e një projekti. Dhe është merita e çdo pjesëtari të stafit për krijimin e një ambienti kaq bashkëpunues dhe harmonik. Duke përmbledhur të gjitha më lart, unë do të thoja se gazeta “Letër e Hapur” përvec një botimi periodik mujor, është edhe një hapësirë e çdo të riu pogradecar për të shprehur zërin e tij. Qëllimi i iniciativës së këtij projekti është të nxisë përfaqësimin e të rinjve në vendimmarrjen lokale dhe jo vetëm. Ndaj unë sot ndjehem shumë mirënjohëse për mundësitë që më ka dhënë përfshirja në gazetë dhe do të doja shumë të ndaja këtë mundësi më të gjithë bashkëmoshatarët e mi. Nuk ka privilegj më të madh sesa të shprehësh mendimin tend, të ngresh zërin për çështje që shqetësojnë komunitetin rinor por edhe më gjërë. Gjatë intervistave të shumta që kemi zhvilluar, ne gjithmonë i’u bëjmë të intervistuarve një pyetje klishe.
“Cili është mesazhi juaj për të rinjtë pogradecarë?” Nuk mund të them të gjithë, por shumica e tyre i mëshojnë fort mendimit se të rinjtë përfaqësojnë të ardhmen e vendit. Përgjegjësia një ditë do të kalojë tek ne, të rinjtë, dhe gjëja e duhur që duhet të bëjmë është të përdorim pozitën tonë në shoqëri për të krijuar një të ardhme sa më pranë asaj ideales, duke korrigjuar gabimet e së shkuarës e duke kontribuar për komunitetin. Duke marrë shkas nga shprehja e Robert Frost, por edhe nga gjithçka kam mësuar nga angazhimi në gazetë do të doja t’iu bëja thirrje të gjithë bashkëmoshatarëve të mi. Nëse keni diçka për të thënë mos nguroni ta thoni atë. Mos u tregoni të ndrojtur të shprehni vullnetin tuaj dhe më e rëndësishmja mos e nënvlerësoni pozitën tuaj në shoqëri. Mendimi dhe fjala juaj vlejnë, dhe të gjithë kemi mundësi të bëjmë diferencën. Nëse kërkojmë ndryshimin duhet t’i besojmë procesit dhe aftësive tona për ta përmbushur atë. Unë shpresoj që “Letër e Hapur” të jetë një dritare mundësie për të gjithë ata të rinj që kërkojnë hapësirë për të shprehur idetë dhe mendimet e tyre. Forca e fjalës është shumë e madhe, sidomos kur ajo përdoret në mënyrën e duhur.
Gazetare: Elia Meçi
Korrik – Gusht 2020