Një ndër angazhimet më të bukura në të cilën të rinjtë e gazetës “Letër e Hapur” u përfshinë, ishte dhe shëtitja përgjatë shtegut të sapohapur në pyll, i cili lidh Tushemishtin me Peshkëpinë. Drejtuesi ynë Fisniku, ka saktësisht 22 vite, pra që në vitin 1998, që merret me këtë profesion, nëse mund ta quajmë të tillë, sepse për të është më shumë një aktivitet, sesa një profesion i mirëfilltë. Pogradeci është një vend turistik dhe shumë tërheqës, gjë e cila bëri që Fisniku të kishte mundësinë të shijonte shumëllojshmërinë e tureve të realizuara këtu. Një nga turet më tërheqes për të ka qenë Malësia e Llëngës, përpos Malit të Thatë, Gurit të Kamjes, Malit të Valamarës, të cilët gjithashtu i kishin lënë shumë mbresa, edhe pse për të është e vështirë të zgjedhësh mes të gjjthave.
Por ka edhe destinacione të tjera të pazbuluara dhe të paeksploruara për Fisnikun, përkatësisht Liqenet e Lukovës në zonën e Bishnicës, për të cilat dëshira e vizitës mbetet shumë e madhe. Një ndër planet e ardhshme për Fisnikun, është zhvillimi i një turi në Bishnicë, duke theksuar se Nehemiah Gateway University zhvillon çdo vit ture në këtë zonë. Përveç kënaqësive që Fisniku merr nga bukuritë e rralla të natyrës, i shtohet dhe kënaqësia e pranisë të të rinjve. Në shumë prej udhëtimeve malore, fati i tij është dhe shoqërimi me grupmoshat e reja.
Me nota humori, Fisniku pohoi se gjatë udhëtimeve me grupmoshat e reja, ndihet si më i vjetri i grupit, por që përsëri ky fakt i fal kënaqësi. Të qënurit në lëvizje pothuajse çdo kohë, ka sjellë tek Fisniku ndjenjën e të qenurit i gatshëm për të përballuar çdo rast i cili mund të haset rrugës, qoftë ai shëndetësor apo diçka tjetër. Në përfundim të bisedës sonë të këndshme me Fisnikun, ai u shpreh mjaft i hapur për të dhënë gjithashtu dhe një mesazh për të rinjtë, të cilëve u thekson se Pogradeci ka pasuri të jashtëzakonshme natyrore, të cilat për fat të mirë mund të shfrytëzohen për t’u përdorur për aktivitete në mjedis të hapur.
Po ashtu ai i ftoi të rinjtë e sotëm t’ju bashkohen tureve të ndryshme, për të njohur se çfarë ofron vendlindja e tyre. Ndërsa për ata të rinj të cilët e kanë pasion udhëtimin përmes të bukurës dhe natyrës, ai sugjeroi organizmin e tureve mes miqsh, në mënyrë që ky pasion i së tashmes pse jo të kthehet në një profesion.
Gazetare: Vikena Hoxhallari
Korrik – Gusht 2020