Të dish për historinë e qytetit tënd është diçka e mirë, por të mësosh më shumë rreth tij është një vlerë e shtuar për ne. Nisur nga rëndësia e vendit historik që mbart vlerat e kulturës sonë, ne shkuam në muzeun e qytetit. U njohëm me znj. Froseda Tola, pozicioni i së cilës është specialiste, por praktikisht roli i saj është përgjegjëse për gjithçka në muze. Në muzeun e qytetit tonë, ashtu si në çdo muze tjetër duhen promovuar vlerat arkeologjike dhe për këtë gjë duhet që muzeu të ketë hapësira të mjaftueshme, por në mungesë të vitrinave nuk mund të promovohen të gjitha.
Gjithashtu përgjegjësja theksoi se, në qoftë se do të kishte një mënyrë tjetër ekspozimi, pak më shumë investime duke shfrytëzuar hapësirën poshtë hollit të muzeut, do të mund të ekspozoheshin të gjitha vlerat arkeologjike të cilat për momentin ruheshin në magazinë. Ne folëm gjithashtu për restaurimin e godinës, gjë të cilën përgjegjësja e kishte një ndër pikësynimet e saj dhe do ta realizonte sa më shpejt të ishte e mundur. Por duke theksuar se kjo gjë nuk ishte në dorën e saj, nuk dihej se kur mund të realizohej ky restaurim.
Për znj.Froseda Tola bashkëpunimi me të rinjtë është një pikë kyçe e punës së tyre. Ata operojnë kryesisht me nxënës shkollash, të cilët janë vizitorët kryesorë të muzeut. Në një vit normal, numri i vizitorëve në muzeun e qytetit arrin deri në 3200 vizitorë, ku ndër ta 80% janë të rinj. Për të mbyllur intervistën specialistja e muzeut dha një mesazh për ne të rinjtë. “Për të gjithë të rinjtë në Shqipëri, jo vetëm në Pogradec, mesazhi ka të bëjë me atdhedashurinë. Pasionet dhe dëshirat janë të shumta dhe të ndryshme, por pa dashur vendin ku lindim, rritemi dhe jetojmë, atëherë ne nuk do të mund të kontribuojmë për vendin tonë, por do të kontribuojmë në vende të tjera” – u shpreh znj. Tola.
Gazetare: Vikena Hoxhallari
Korrik – Gusht 2020