Fjalët nuk mjaftojnë kurrë për të shpërfaqur mirënjohjen e merituar për mëkuesit e dijes, mësuesit tanë të dashur dhe të palodhur, që zënë vend në përditshmërinë tonë me fjalë diturie dhe gdhendin gjurmë të thella, duke reflektuar në zgjedhjet e ardhmërisë për secilin nga ne. Ndaj, e nisim këtë artikull nën moton “Dashuri – Respekt – Mirënjohje”.
Si çdo vit, me rastin e Ditës Kombëtare të Mësuesit, me mbështetjen financiare të Fondacionit ‘Nehemiah Gateway Albania’, me miratimin e Zyrës Arsimore Vendore Pogradec dhe në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, uruam mësuesit e shkollave të mesme në Pogradec në një formë ndryshe, me foto të çastit të tyre bashkë me nxënësit, si kartolinë dhe mbishkrimin ‘‘Gëzuar 7 Marsin’’, duke vlerësuar kontributin që japin ndër vite për edukimin dhe mirërritjen e brezave. Ndërsa, për drejtoritë e shkollave, i njëjti urim u dhurua në një mbajtëse druri në formë pende me mbishkrim të personalizuar dhe stilolaps.


Me këtë aktivitet traditë, prej 5 vitesh radhazi, arrihen të paktën 7 shkolla të qytetit dhe rrethinave, rreth 200 – 260 mësues dhe drejtoritë respektive, duke përfshirë edhe institucionet që kanë për detyrë funksionale përkujdesjen dhe shërbimin ndaj institucioneve arsimore.
Ndër shkollat përmendim:
- Gjimnazi “Muharem Çollaku”, Pogradec;
- Gjimnazi “Gjergj Pekmezi”, Pogradec;
- Shkolla Teknike Profesionale “Enver Qiraxhi”, Pogradec;
- Gjimnazi “14 Engjëjt”, Buçimas;
- Shkolla “Nehemia”, Buçimas;
- Shkolla “Amaro Tan”, Pogradec;
- Gjimnazi “Qemal Bazelli”, Çërravë;
- Gjimnazi “Dëshmorët e Pojskës”, Udënisht


