Koncepti i strukturës së artikullit të mëposhtëm, mbështetet në të intervistuar në tre kohë të ndryshme të kinemasë verore: Koha kur u prish (Z. Budion Xhelo), koha kur u përpoqën ta vitalizonin (Znj. Dasara Xhangolli) dhe çfarë po ndodh aktualisht (Z. Eritan Kamolli). Normalisht, njerëzit janë të destinuar për të menduar ndryshe në aspekte po të tilla. Në këtë rast, është Z. Budion Xhelo ai që u shpreh më ashpër dhe më ndryshe lidhur me këtë aspekt të vjetër kulturor. Z. Budion Xhelo ka punuar në sektorin e kulturës gjatë viteve 88’-91’. I pyetur në lidhje me historikun e kinemasë verore në qytetin e Pogradecit, ai u shpreh si më poshtë: “Kinema verore Pogradeci nuk ka patur dhe as nuk ka, por ka ekzistuar më parë ‘Kinema Pojska’.
Një godinë më vete, e cila ndodhej përkrah “Turizmit të Vjetër” dhe me një drejtori më vete, por më pas edhe ajo u prish. Përsa i përket godinës që janë dhënë disa shfaqje teatrale, u ndërtua me vullnetarë dhe pas tyre ajo ngeli në duart e fatit.” Jo vetëm për pozicionin që ka mbajtur, por edhe si artdashës, z. Xhelo shpreh keqardhjen e tij për interesin e pakët të shoqërisë ndaj kulturës dhe artit dhe thekson se kjo kinema verore nuk i nënvijëzon këto të fundit. Ai shkon më tej duke bërë krahasimin e dy arteve, dikur shumë të dashura për komunitetin, siç janë arti teatral dhe ai i leximit. “Tashmë është e njëjta gjë si të gjesh lexues për në bibliotekë, që për fat të keq nuk lexon njeri, pra e njëjta gjë ndodh edhe me kinemanë verore. Tani janë celularët dhe aparatet e tjerë teknologjikë që ua mundësojnë këto opsione.”
Edhe ky i fundit është një mendim personal, pasi statistikat e konstatuara së fundmi në hyrje-daljet e bibliotekës dhe numrat e librave të lexuar në aktivitetin e fundit të zhvilluar aty, tregojnë të kundërtën. Megjithatë, për të gjithë llojin e artdashësve si z. Budion, duket se mund të kemi lajme të mira. Në një prej takimeve që KRP mbajti me Kryetarin e Bashkisë Pogradec, ky i fundit u shpreh se tashmë kishin në duar një projekt për rikthimin e Kinemasë Verore. Edhe pse jo më në të njëjtin vend si më parë, tashmë do të vijë përgjatë vijës bregliqenore.
Ky projekt do të shërbejë si një tjetër atraksion turistik në qytetin e Pogradecit, duke i shtuar gjallërinë mbrëmjeve të të rinjve, turistëve dhe jo vetëm. Ish-Drejtoresha e Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci”, Znj. Dasara Xhangolli, është shprehur për gazetën “Letër e Hapur”, se ka qenë një ishkinema verore shumë vite më parë dhe se vetëm pogradecarët e vjetër mund ta mbajnë mend. Pas vitit 97- të, si shumë vende dhe gjëra të tjera edhe kinemaja ishte lënë në harresë nga pushtetarët dhe qytetarët e këtij vendi. Fatkeqësisht, ishte kthyer në një vend aspak të këndshëm për syrin, dhe kështu vazhdoi për një periudhë shumë vjeçare. Ideja për t’i dhënë jetë kinemasë verore, lindi nga koncepti regjisorial që ish-drejtoresha kishte për të vendosur një shfaqje të një dramaturgu gjerman, në vend të harruar, në skamje totale, vend i cili çuditërisht i përshtatej shumë mirë. Tek ish-kinemaja verore, janë vendosur dy shfaqje të suksesshme. E para, ka qenë tragji-komedia “Vizita e Damës plakë”, e autorit Friedrich Dürrenmatt dhe e dyta, ka qenë komedia “Kalorësit” e komediografit grek, Aristofani. (Nga informimi i mëtejshëm, mësojmë se të dyja shfaqjet kanë qenë nën regjinë e znj. Desara Xhangolli).
Një nga objektivat strategjikë të qendrës kulturore, ka qenë dhe restaurimi i saj por edhe me shumë se aq. Fakti që i jep jetë një vendi të harruar, nëpërmjet frymës teatrore, me vepra të fuqishme të dramaturgjisë botërore, është një ndjesi shumë e bukur që e tejkalon fizikën. Restaurimi varet nga ata të cilët miratojnë buxhetin! – përmbylli fjalën e saj znj. Xhangolli. Për gjendjen aktuale u intervistua edhe z. Eritan Kamolli, i cili përmendi një makineri që përdorej për shfaqjen e filmave: një makineri me bobina ose shirita, aparat i cili funksionon edhe sot në gjendje shumë të mirë. “Faktikisht kinemaja verore ka funksionuar për shumë vite. Nuk ndodhet e dokumentuar një datë e saktë, por mendohet se rreth viteve 1990 si shumë kinema të tjera në vend, ndaloi së funksionuari për shkak të periudhës kaotike të tranzicionit të asokohshëm, por edhe ulja e interesit për frekuentimin e këtij institucioni.” Sipas z.Eritan Kamolli, drejtor i Qendrës Kulturore “Lasgush Poradeci” në Bashkinë e Pogradecit, riaktivizimi i Kinemasë Verore është një objektiv i rëndësishëm. Kohë pas kohe, janë bërë përpjekje të zhvillohen disa aktivitete aty për ta risjellë në vëmendje të pushtetit local, apo për të zgjuar interesimin e gjithkujt që dëshiron të bëhet mbështetës në realizimin e një projekti për rikonstruktimin dhe rijetëzimin e kinemasë verore. Së fundmi, z.Kamolli shprehet se Qendra Kulturore padyshim që suporton çdo nismë të një organizate, donatori vendas apo të huaj, që dëshiron të investojnë në këtë drejtim. Kjo mbështetje, sigurisht që duhet të jetë e bazuar në rregullat dhe ligjet që përcaktojnë mënyrën e investimit, duke përfshirë një investim të përgjithshëm ose të pjesshëm të Kinemasë Verore. “Për Pogradecin edhe detaji më i vogël është vlerë e shtuar e qytetit, prandaj le të pasurojmë kulturën që karakterizon në vetvete vendin tonë”- përmbyll Z.Eritan deklaratën e tij.Me sa duket, nga të gjithë funksionarët drejtues së Qendrës Kulturore ‘Lasgush Poradeci’ ka qëndrime të ndryshme, disa mohojnë ekzistencën dhe vlerën e kinemasë verore, disa janë përpjekur për ta rigjallëruar, pavarësisht kushteve dhe rrethanave, disa të tjerë kërkojnë ndihmë dhe e kanë lën sërish në harresë këtë oaz që mund të kthehet në një burim të bollshëm për të shuar etjen e artdashësve pogradecarë.
Ne, si gazetarë të gazetës rinore ‘Letër e Hapur’ do e vijojmë këtë iniciativë duke lobuar pranë Bashkisë Pogradec, por edhe duke ftuar mbështetës të ndryshëm që të krijohen mundësitë për vitalizimin e kinemasë verore, për të trokitur sërish tek funksionari i radhës pranë kësaj qendre, me shpresën se do të luhen shfaqje të reja, në një vend më dinjitoz, por me suksesin në rritje, si ‘Vizita e Damës Plakë’ apo ‘Kalorësit’.
Gazetare: Joana Ruho
Korrik – Gusht 2020