Pogradeci, ky qytet i vogël që mbart vlera të mëdha kulturore dhe jo vetëm, sigurisht që do të shquhej edhe për kulturën e larmishme sportive. Kur vjen fjala për volejbollin pogradecar, arritjet e ngjarjet janë të panumërta, aq sa do të duheshin dhjetëra shkrime për të përmbledhur historinë dhe vazhdimësinë e këtij sporti. Trajneri aktual z. Llazi Kërxhalli, i cili ka një eksperiencë prej mbi 35 vitesh, pohon se klubi dhe ai vetë ka kaluar peripeci nga më të ndryshmet.
Rrugëtimi i tij filloi në vitin 1983, kohë kur ishte përgjegjës për skuadrën që drejtohej nga profesor Petraq Pano dhe pas disa vitesh e merr vetë përsipër këtë ekip. Që prej asaj kohe numërohen qindra fitore dhe shumë trofe të ndryshëm, duke veçuar shpalljen kampion kombëtar me të reja (1997), kampion kombëtar me të rritura në A2 (1998), sigurisht edhe renditje në vend të parë, të dytë dhe të tretë në U17, U16, U14 e me çifte të ndryshme ndër vite në nivel ballkanik dhe kombëtar.
- Kërxhalli shprehet se dy sfida të cilat do të ngelen gjatë në memorien e tij dhe të qytetit, janë futja e skuadrës në nivel A1 dhe ngritja e shoqatës sportive “Ringjallja”. “Ringjallja” ka qenë shoqata shumësportëshe e parë e krijuar, që mbetet një kapitull i cili do të lerë gjurmë në kulturën sportive të vendit tonë. Nuk mund të ngelet pa përmendur krijimi i Shoqatës Kombëtare të Beach-Volley. Viti 1995 shënon ardhjen e një sporti të ri në Shqipëri, për të cilin Pogradeci do të bëhej djepi i tij, me iniciativën e prof. Llazi Kërxhalli, prof. Ilia Gaxho dhe prof. Miftar Ziberi. Pavarësisht suksesit të padiskutueshëm si pasojë e punës së palodhur të vetë trajnerit të ekipit, fatkeqësisht kjo rrugë ka patur edhe pengesa. Suporti i pushtetit lokal deri në vitet e fundit ka qenë i dobët, aq sa si pasojë ka ardhur shkrirja e ekipit për një periudhë 1-vjecare deri në rikthimin e tij sezonin pasardhës.
Po ashtu edhe FSHV nuk ka dhënë përkrahjen e duhur, pasi ka patur raste të mungesës së bazës materiale, kushteve për zhvillimin e stërvitjes dhe trajtimit të nevojitur për lojtaret pogradecare. Kjo anë negative dhe politika e disiplinave sportive, ka sjellë dhe rënie të numrit të të rinjve që interesohen në këtë sport. Edhe pse janë ndërmarrë hapa dhe bashkëpunimi mes dy paleve po vjen në rritje, ka ende vend për më mirë. Udhëtimi ka qenë i gjatë, i bukur, mes momentesh gëzimi e trishtimi, me pengesa e suksese dhe më e rëndësishmja me triumfe të pashoq. Vështirësitë do të jenë gjithmonë pjesë e “lojës”, por ku vullneti dhe pasioni s’ka të krahasuar ëndrrat bëhen realitet dhe kështu volejbolli pogradecar ka qenë, është dhe do të jetë një “ëndërr” e bukur si copëz e pandarë e këtij qyteti!
Gazetare: Klea Kodra & Joana Ruho
Korrik – Gusht 2020