Dalja e Pogradecit nga zona e gjelbër dhe futja në zonën e kuqe si ndikon tek turizmi në Pogradec?
Pogradeci ishte zonë e gjelbër për një periudhë të gjatë kohe dhe fakti që tashmë kemi disa raste aktive me COVID-19, normalisht që ndikon në sektorin e turizmit duke reduktuar dhe numrin e turistëve, por Bashkia Pogradec duke respektuar dhe Protokollin për masat kundër përhapjes së Covid-19, në bashkëpunim me operatorët dhe bizneset turistike, janë duke u përpjekur që të ofrojnë shërbim turistik në nivelin maksimal edhe pse në kushte ekstreme.
Cili është parashikimi juaj për sezonin turistik 2020?
Parashikimi për këtë sezon turistik është në sinkron me Strategjinë e Turizmit dhe planfikimin që ka DTKR edhe pse siç e përmenda më lart, pandemia na kufizon të zhvillojmë aktivitete dhe grumbullime masive, por me optimizëm mund të them që fundjavat janë frekuentuar rregullisht nga turistët dhe shpresojmë që ky sezon turistik do të jetë në standardin e duhur.
A keni udhërrëfyes të certifikuar në Bashkinë Pogradec?
Ne kemi disa guida aktive si “Visit Pogradec”, “Discover Pogradec”, por nuk kemi ende udhërrëfyes të certifikuar. Natyrisht motivojmë të gjithë personat që kryejnë aktualisht guida turistike të paraqiten pranë Bashkisë Pogradec për t’u interesuar se si mund të licensohen për të kryer guidën turistike.
Si e cilësoni aktivizimin rinor në Pogradec dhe a ka fond të alokuar për rininë?
Aktivizimi Rinor në Pogradec është në rritje dhe kjo mendoj për shkak se aktivitetet nga të rinjtë mund të kenë nxitur edhe dëshirën për pjesëmarrjen e të rinjve të tjerë, si rasti i gazetës suaj, KRP-së, të rinjtë pranë Qendrës Rinore, të rinjtë e angazhuar pranë Qendrës “Lasgush Poradeci” etj. Për sa i përket pyetjes së dytë, edhe pse nuk ka një fond të alokuar specifikisht për të rinjtë, kjo nuk do të thotë se Bashkia Pogradec nuk ofron mbështetjen për iniciativat rinore. Kryetari i Bashkisë Pogradec ka rialokuar fondet nga sektorë të tjerë brenda drejtorisë me qëllim për të mbështetur kërkesat që na kanë ardhur nga grupimet rinore. Gjithmonë ka mundësi për përmirësim, ashtu siç ka nevojë për investim dhe në sektorë të tjerë jetikë për Pogradecin, si ndërhyrjet infrastrukturore, investimet në zonën e plazhit etj.
Ç’mund të na thoni për kalendarin e aktiviteteve të Bashkisë Pogradec?
Bashkia Pogradec ka hartuar një kalendar aktivitetesh gjithëpërfshirës, ku ndërthuret fryma e bashkëpunimit me drejtoritë dhe institucionet e tjera përkatëse, për të vitalizuar qytetin e Pogradecit dhe për të sjellë sa më tepër risi. Kalendari orientohet në aktivitete që kanë në fokus turizmin, rininë, kulturën, historinë, artin, sportin etj.
Çfarë ju shtyu të shkëputeshit nga background-i shkencor akademik për të drejtuar Drejtorinë e Turizmit, Kulturës dhe Rinisë në Bashkinë Pogradec?
Kjo është një pyetje shumë interesante, që më krijon pak nostalgji, sigurisht që fusha akademike ka një rëndësi të madhe në formimin tim profesional dhe shkencor, por gjithmonë kam qenë e lidhur shpirtërisht me Pogradecin dhe kjo ka qënë një nga shtysat kryesore për t‘u kthyer sërish në vendlindje. Kur fillova pranë Bashkisë Pogradec, si specialiste për rininë, ishte një nga momentet kyçe të karrierës time, sepse gjithmonë më ka tërhequr ky spektër ku ndërthuren idetë e të rinjve me zhvillimin e qytetit. Para një muaji, kur m’u propozua posti drejtues në DTKR, përpos faktit që jam ndjerë mjaft e vlerësuar, përjetova dhe emocionin e vendosjes përballë një sfide. Mendoj që fitorja e parë dhe e vetme e çdo personi është sfida me veten dhe të gjithë kontributin që mund të japë në punën e tij. Për ta përmbyllur përgjigjen time do të thoja se posti im aktual, përfshin koordinimin dhe ndërthurjen e 3 sektorëve si turizmi, kultura e rinia. Ky trinom padyshim përkufizon një segment të rëndësishëm të zhvillimit të qytetit të Pogradecit dhe ky fakt më ka dhënë shtysë që të shkëputem përkohësisht nga fusha akademike për të vendosur gjithë njohuritë dhe vizionin tim, në shërbim të komunitetit.
Cilat janë institucionet që bashkëpunoni më shumë në sektorin publik dhe privat?
Për pjesën e sezonit turistik bashkëpunimet kanë qenë kryesisht me bizneset turistike, njësitë akomoduese, stacionet e miratuara të plazhit, pra i është krijuar mundësia kujtdo që ka patur një sipërmarrje turistike për t’u mbështetur nga strukturat tona pranë njësisë vendore.
A keni një mesazh për të rinjtë pogradecarë?
Ashtu siç e kam shprehur kudo që më ka rënë rasti me shumë dashamirësi dhe sinqeritet, mesazhi që do të përcillja për të rinjtë pogradecarë do të ishte të jenë sa më tepër aktivë dhe të investojnë në formimin e tyre duke krijuar një ‘mozaik’ plot me ide novatore dhe pse jo të mos ngurojnë për të qenë pjesë e Gazetës “Letër e hapur”, një megafon mediatik i shkruar për zërin e tyre.
Gazetare: Dea Xhemollari
Korrik – Gusht 2020