Askush nga ne nuk e meriton të lindë, të rritet apo të jetojë në një situatë jo të favorshme për jetën. Gjithçka në jetët tona, apo e thënë në formë folklorike “fatet tona” janë të përcaktuara nga Perëndia.
Mendime të tilla më kalojnë shpesh ndërmend, sidomos edhe kur takohem me persona të kombësive të ndryshme, siç ishte edhe Doka Kosmas, alumni i IAL “Nehemiah Gateway” në Pogradec.
Me Doken jam njohur 8 vite më parë, në kampusin e Nehemiah Gateway Albania, kur ai erdhi si pjesë e grupit të pare të studentëve ndërkombëtarë nga Afrika. Ishte gjithashtu hera e parë për mua që takoja dikë nga Sudani Jugor.

Së bashku kemi ndarë 3 vite të jetës dhe eksperiencës së tyre të parë në Shqipëri, duke ruajtur shumë kujtime të bukura. Janë kujtime dhe eksperienca që nuk do t’i harroj ndonjëherë dhe ruaj shumë respekt prej sejcilin prej tyre.
Nga të gjithë ata mësova që nuk duhet të heqësh dorë kurrë nga mundësitë e mira që të vijnë një herë në jetë dhe t’i shfrytëzosh ato deri në fund, por më e rendësishmja është që mos ta lësh kurrë Perëndinë jashtë planeve të tua.
Kur komunikova përsëri me të pas 5-6 vitesh kuptova që Perëndia ishte akoma shumë prezent në jetën e Dokës dhe familjes së tij. I martuar dhe babai i tre fëmijëve tani kishte prioritete të tjera nga ato që kishte kur ishte akoma student, por njëri prej tyre vazhdonte të qëndronte prezent, rindërtimi dhe investimi në komunitetin në të cilin ai ishte rritur, në vendlindjen e tij ne Sudanin Jugor.
Doka së bashku me bashkëshorten e tij kanë themeluar organizatën „Arise Gateway“, një OJF e cila ka për qëllim të ndihmojë afatgjatë të rinjtë e Juba në fushën e edukimit, agrikulturës dhe trajnime biznesi. Edhe ne si Doka besojmë se zgjidhja për një komunitet të qëndrueshëm dhe të zhvilluar është edukimi cilësor dhe afatgjatë, jetëndryshues ashtu siç ishte edhe për vetë Dokën.

Nehemiah Gateway Albania e mbeshtët këtë nismë dhe bën thirrje që të bashkangjiteni në ndihmë të Dokës dhe misionit të tij fisnik dhe jetëndryshues për të rinjtë e Juba.
Artikull nga Eri Geiger, Fondacioni “NG Albania”