Midis ditëve të nxehta të verës dhe punës intensive për numrin e dytë të gazetës “Letër e Hapur”, balanca vendoset nga aktivitetet çlodhëse dhe argëtuese. Ditën e dielë, KRP në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec, “Visit Pogradec” dhe Nehemiah Getaway University organizuan një cikël aktivitetesh sportive ujore si shëtitje me kaìk, gara me kanoe, stand up etj. Sportet ujore të lartpërmendura janë një risi e kësaj vere në qytetin e Pogradecit. Për herë të parë Klubi Shumësportësh i ofron pushuesit vendas, por edhe vizitorëve, mundësinë për të praktikuar aktivitete të tilla shumë tërheqëse dhe sfiduese.
Duke marrë parasysh faktin që shumë të rinj mund të jenë të panjohur me rregullat dhe masat e sigurisë, në fillim të xhiros, u bë një njohje paraprake e tyre. Klevis Cane, si instruktor dhe njëkohësisht Shef i Klubit Shumësportësh, prezantoi me kujdes rregullat që duhet të ndiqeshin nga të rinjtë dhe këshilloi të zbatoheshin në çdo kohë për të shmagur shqetësimet ose suprizat e pakëndshme. Në një xhiro e cila zgjati përafërsisht një orë, nën rrezet e nxehta të mesditës, të rinjtë lundruan në sipërfaqen e qetë të liqenit. Shpirti garues i tyre solli edhe disa sfida të vogla brenda grupit. Në përfundim të gjithë u rikthyen në breg me buzëqeshje dhe kënaqësinë e një aventure ujore. Falënderime të veçanta për “Visit Pogradec” dhe Klubin Shumësportësh, të cilët mundësuan realizimin e aktivitetetit
Gazetare: Elia Meçi
Korrik – Gusht 2020