Bashkia Pogradec dhe Muzeu Historik Pogradec, me mbështetjen e Projektit të USAID-it për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore “Gratë, Paqja dhe Siguria”, organizuan më 18 korrik një diskutim me të rejat dhe të rinjtë, me qëllim identifikimin dhe promovimin e figurave femërore të shquara të qytetit, kontributi i të cilave është i paarritshëm edhe në ditët e sotme. Në ambientet e Muzeut Historik Pogradec, mirëseardhja dhe fjala e hapjes i takonte znj. Froseda Amgjellari Tola, Përgjegjese e Muzeut Historik Pogradec, e cila u shpreh si më poshtë: “Jam shumë e lumtur që Pogradecit iu dha mundësia për të treguar dhe për të nxjerë në pah vlerat dhe kontributet e grave pogradecare, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm për frymëzimin dhe nxitjen e brezit të ri, si edhe falenderoj të rinjtë për prezencën e tyre dhe dëshirën që ata kanë për të njohur më shumë rreth kësaj teme”.
Të pranishëm në këtë diskutim ishin: Znj. Dolly Eittberger, Përfaqësuese e Projektit të USAID për Planifikimin dhe Qeverisjen Vendore; znjsh. Loridela Beqari, Drejtore e Drejtorisë së Turizmit, Kulturës dhe Rinisë; znj. Afroviti Gusho, themeluese e shoqatës “Unë, Gruaja”. Gjatë këtij diskutimi u paraqit një broshurë e titulluar “Historia e saj në historinë e Pogradecit”. Kjo broshurë, e cila paraqet 26 jetëshkrime të shkurta të grave që kanë dhënë ndihmesë të shquar në jetën e Pogradecit, është një përpjekje e parë për t’u dhënë kontributeve të grave vendin që u takon në librat e historisë. Për jetën e tyre dihet fare pak, çka dihet me siguri është se këto gra kanë dhënë dhe japin një kontribut të pamasë për komunitetin e tyre, jo vetëm në ditët e sotme, por përgjatë gjithë historisë.
Gjatë këtij diskutimi u drejtuan edhe shumë pyetje nga të rinjtë rreth kësaj broshure. Znj. Monika Kocaqi, duke i’u përgjigjur një prej pyetjeve të drejtuara nga të rinjtë u shpreh: “Vështirësia qëndronte në përzgjedhjen e grave sigurisht, por ne u munduam që të zgjidhnim gratë e para që hodhën hapin e parë në çdo drejtim”. Një lajm i mirë ishte që kjo broshurë do të vazhdojë botimin e saj më tej edhe me gra të tjera të suksesshme. Ky diskutim, si edhe krijimi i kësaj broshure synon të ndërgjegjësojë publikun për rolin e gruas përgjatë gjithë historisë. Le të shërbejë kjo broshurë si shtysë për të vlerësuar dhe mbrojtur figurën femërore, jo vetëm në rrethin e Pogradecit, por shumë më gjerë.
Gazetare: Joana Yskollari
Korrik – Gusht 2020