13.8 C
Pogradec

Motivi ballkanik dhe europian i disa prej baladave të mirënjohura në folklorin tonë dhe jo vetëm

(Pjesa e parë: Kënga e motrës dhe vëllait të vdekur, Lenora dhe Tipet e Motivit) Në këtë shkrim (artikull), do përpiqemi të bëjmë një analizë të disa prej baladave më të përhapura në Ballkan dhe Europë, duke parë (komentuar, analizuar) disa nga ato që hasen në Gadishullin tonë e më tutje se ai. Komentet, analizat, studimet, i përmbahen përgjithësisht përmbledhjes “Këngë të moçme shqiptare” të autorit Fatos Arapi, botuar në Tiranë në vitin 1986, shtëpia botuese ‘Naim Frashëri’. Kënga e motrës dhe vëllait të vdekur Në vitin 1773, në Gjermani u botua balada “Lenorë”. Bërthamën e saj, poeti Gotfrid August Byrgen e kishte marrë nga një motiv popullor, motiv i cili, siç u vu në dukje nga studiuesit më vonë, ishte i përhapur në të gjithë popujt e Europës. Me pak fjalë, subjekti i baladës ishte ky: Një vajzë e një djalë i ri dashurohen e vendosin të martohen. Pas disa kohësh, burrit i duhet të shkojë në luftë e atje vritet. Vajza nuk e di ç’ka ndodhur e qan, e kërkon dhe e pikëlluar shkon te varri i të dashurit. Ky ngrihet në mesnatë nën dritën e hënës e kërkon të fejuarën për të ardhur në dasmë. Nis udhëtimi nëpër natë, nisin pyetjet e përgjigjet deri te varri i djalit. Aty, vajza ose vdes, ose shpëton nga kënga e gjelit të mëngjesit. Në variantin europian të “Lenorës” hasim një “hakmarrje, dënim” nga ana e të dashurit (të fejuarit, bashkëshortit) ndaj së dashurës së vet, e cila i shqetëson varrin me lotët e saj. Hasim gjithashtu një mendim themelor të njerëzimit: Dashuria e vërtetë nuk jeton dot e vetme.
•Për herë të parë, për këngën e “Motrës dhe vëllait të vdekur” në Ballkan, ka folur filologu francez Klod Foriel. Ai i dha për herë të parë lexuesit europian një nga tipet ballkanike të këtij motivi. Më vonë, me baladën u morën studiues të ndryshëm (gjermani Volner, francezi Psikari, greku Politis, rusi Sozonovic dhe bullgari Shishmanov). Nga shkrimet e tyre, motivi i “Motrës dhe vëllait të vdekur” hyri në rrugën e studimeve folklorike, të cilat vazhdojnë. Megjithëse është shkruar e marrë shumë me të, studimet e deritanishme nuk kanë sqaruar shumë probleme ende të pazgjidhura.
•Midis motivit të Lenorës dhe atij në juglindje të Europës, ka ndryshime thelbësore. 1.Motivi i Lenorës shpreh marrëdhënien bashkëshortore: burri, i fejuari ose i dashuri – me gruan e vet. Ndërsa motivi ballkanik shpreh ose marrëdhëniet nënë – bijë, ose marrëdhëniet motër – vëlla, dmth brenda familjes, gjakut. 2.Te “Lenora” ka njëfarë zemërimi e hakmarrjeje nga ana e burrit të vdekur ndaj së shoqes, linjë kjo që kalon deri te lugetërit e vampirët. Kurse varianti ballkanik karakterizohet nga marrëdhënie të pastra dashurie midis anëtarëve të një familjeje: vëlla – motër – nënë. 3.Tipi europian i Lenorës gjendet në të gjithë Europën dhe në pjesën veriore të Ballkanit, ndërsa tipi i mirëfilltë ballkanik është mbyllur kryesisht në Shqipëri, Greqi, Maqedoninë e Veriut, Bullgari, Serbi, Kroaci, Rumani dhe te arumunët. Pyetjes se përse motivi i “motrës dhe vëllait të vdekur” në Ballkan ka marrë një përmbajtje tjetër nga ai i “të fejuarit të vdekur” në Europë, studiuesit i janë përgjigjur me arsyetimin që në Ballkan marrëdhëniet patriarkale në shoqëri, e veçanërisht në familjet e mëdha patriarkale, kanë qenë shumë të forta për një kohë të gjatë. Kushtet e jetesës kanë përcaktuar marrëdhënie të tjera, më të forta, më të qëndrueshme midis anëtarëve të një familjeje. Fatet historike kanë bërë që në këta popuj, këto lidhje të forcohen. Kjo do të thotë që tipi ballkanik i motivit tonë shpreh një përmbajtje krejt tjetër dhe ai nuk mund të identifikohet plotësisht me motivin europian të Lenorës. Siç u përmend, motivi mbi vëllanë e vdekur gjendet në letërsinë gojore të Ballkanit. Nuk e kanë vetëm turqit, por e kanë mjediset e islamizuara në Ballkan. Kjo tregon se këta popuj kanë ruajtur shumë prej formimeve të tyre kulturore të lashta. Vija skeletike e baladës ballkanike që ne njohim është kjo: Një nënë (zakonisht e ve) ka shumë djem e një vajzë të vetme. Vajza rritet e bëhet për martesë. Vijnë shumë për ta kërkuar, gjersa më në fund vjen edhe një trim prej dherash të largëta. Nëna dhe vellezërit, disa herë edhe vetë vajza nuk e dëshirojnë një martesë të tillë, por ngul këmbë vëllai i vogël. Ai bëhet shkaku/shkaktar që motra të martohet larg. Menjëherë pas martesës, të gjithë vëllezërit vdesin ose prej murtajës, ose vriten në luftë. Nëna qan e ulërin e mallkon djalin shkaktar që në ato çaste nuk i ndodhet pranë as vajza e saj e vetme. I vdekuri çohet prej varrit (në variante të tjera janë lotët e së motrës që e ngrejnë). Guri i bëhet kal, rrasa e varrit shalë. I hipën e shkon tek e motra. Së bashku kthehen në shtëpinë prindërore. Gjatë rrugës, pyetje – përgjigje. Kur afrohen, vëllai shkon e hyn në varr ose brenda në kishe. Vajza shkon tek e ëma, nga dhimbja ato zakonisht vdesin të dyja, ose njëra prej tyre, ose kthehen në zogj. Shkenca folklorike dallon dy tipe të motivit në fjalë: tipi I, kur djalin e ngrenë nga varri lotët e nënës dhe tipi II, kur ai çohet prej lotëve të së motrës. Shpërndarja e dy tipeve ndër popujt e Ballkanit është kështu: Popujt Tipi I Tipi II Rumunët + Bullgarët + + Serbi & Kroaci + Maqedono-arumunët + Shqiptarët + + Grekët + Pra, rumunët, arumunët e grekët kanë vetëm tipin I, ku të vdekurin e ngrenë nga varri lotët e nënës, serbokroatet vetëm tipin II, ku vëllanë e ngrenë lotët e motrës. Shqiptarët dhe bullgarët i njohin të dy tipet: I dhe II. Në rreshtat e mësipërm, u përpoqëm të bëjmë një Hyrje për në labirintet e njërës prej baladave më të hershme, më të përhapura e më të diskutuara në Ballkan e më gjerë. Në numrat në vijim do merremi me variantet e ndryshme të baladës dhe me krahasimet e mundshme të disa prej versioneve më të hasura në Shqipëri e ndër fqinjët tanë. Njëkohësisht, do trajtojmë Ciklin e Kreshnikëve (Gjergj Elez Alia, Muji dhe Halili, Vajtimi i Ajkunës etj.).

Klemend Guçi Mësues Gjimnazi “Gjergj Pekmezi” Pogradec

Maj – Qershor 2020

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Vendosi emrin këtu

spot_img
spot_img

TË NGJASHME

Edicioni i 13-të i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë

Edhe këtë vit Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë bëri tok kineastë, regjisorë, aktorë dhe plot dashamirës së...

‘‘N’Oborr’’ bën tok të rinjtë

Zhvillohet edicioni i radhës së Javës së Aktiviteteve pranë shkollës së mesme ‘‘Muharrem Çollaku’’, shndërruar tashmë në traditë,...

Kënga e Dhoqinës

Nëntë djem e një të vetme vajzë kishte një nënë. Më i vogli i vëllezërve, Kostandini, e martoi...

Motivi ballkanik dhe europian i disa prej baladave të mirënjohura në folklorin tonë dhe jo vetëm, Pjesa e II-të (Kënga e Halil Garrisë)

Në pjesën e dytë të këtij shkrimi, do tentojmë të hedhim dritë mbi variantet e ndryshme të poemës...