Si ka ndikuar situata e pandemisë në vazhdimësinë e punës tuaj?
Sigurisht që është e vështirë, pasi ky virus ishte i panjohur për të gjithë. Ishte shumë e rëndësishme marrja e masave të rrepta, të cilat në vendin tonë u morën që ditët e para të fillimit të pandemisë. Një nga pikat e suksesit që ne kemi arritur deri tani në vendin tonë është pikërisht humbja e pak jetëve, krahasuar me agresivitetin e këtij virusi në mbarë botën. Sigurisht që kjo është dhe falë masave të marra nga qeveria, të cilat janë zbatuar në mënyrë të rregullt nga qytetarët pogradecarë. Një gjë që duhet theksuar është fakti që shërbimi i urgjencës ka qenë 24 orë në ditë në shtatë ditë të javës. Edhe njëherë, sigurisht që situata është e vështirë, por së bashku deri tani ja kemi dalë, dhe fatmirësisht gjendemi në zonë të gjelbër.
Nga statistikat tuaja, cila ka qenë kategoria e personave që kanë shfaqur më shumë problem për trajtimin pranë spitalit?
Kategoritë që i janë drejtuar shërbimit të urgjencës pas komunikimit me numrin e urgjencës kombëtare 127 janë kryesisht urgjencat kirurgjikale, traumat apo frakturat që janë patologji që duhen trajtuar me patjetër në ambjentet pranë spitalit në kohë, duke mos përjashtuar këtu pjesën e fëmijëve që janë të prekshëm nga virozat që qarkullojnë (virozat stinore). Gjithashtu nuk mund të lë pa përmendur edhe ndihmesën e mjekëve të familjes pasi shumë persona si fillim janë konsultuar me ta për cdo shqetësim që kanë pasur. Ne kemi gjetur edhe një bashkëpunim shumë të mirë me qytetarët që kanë ardhur nga zona të emëruara të kuqe në mbarë botën, por sigurisht edhe personeli ka qenë i pajisur me gjërat e nevojshme, duke u bërë kështu një mbështetje e madhe në ruajtjen e situatës.
Kemi vënë re që së fundmi janë punësuar të rinj në institucionin tuaj. Keni ndonjë opinion për punën e tyre që doni ta bëni publik?
Për të qenë i qartë dua të them se deri në këto momente nuk kam parë saktësisht një numër të të rinjve që janë punësuar, por di që janë bërë punësime të rinjsh pranë institucionit tonë duke filluar që nga administrata, por edhe te pjesa e personelit mjekësor. Unë jam shumë i kënaqur me pjesën e punës që kanë ofruar të rinjtë, sepse ofrojnë energji, madje ofrojnë risi. Unë jam realisht i kënaqur me punën e tyre të deritanishme.
Si ka qenë gjendja psikologjike e pacientëve të cilët janë dyshuar se mund të jenë të infektuar nga pandemia? A kanë qenë ata të frikësuar?
Ashtu siç e theksova dhe më parë, kjo ishte një situatë e panjohur për të gjithë, qoftë për stafin mjekësor, qoftë dhe për njerëzit. Në momentet e para u bombarduam me lajme të cilat përmbanin në vetvete realizëm, por kishte dhe informacione vende-vende kontradiktore, të cilat vërtet krijuan një psikozë të rënduar tek njerëzit. Ditët e para njerëzit edhe për shenjat më të vogla, të cilave në kushte normale nuk do t’u kushtonin rëndësi, ishin të destinuar për t’iu kushtuar rëndësi dhe për të marrë një përgjigje nëse ishin të infektuar apo jo nga COVID-19. Sigurisht që ka patur rëndim të gjendjes psikologjike të këtyre pacientëve, por ne jemi përpjekur t’jua bëjmë të qartë se jo çdo person që ka temperaturë apo kollë është i prekur nga koronavirusi. Ata u ndjenë të lehtësuar sigurisht kur morën përgjigjen se nuk ishin të prekur nga virusi. Është një shenjë shumë e mirë që njerëzit të cilët dyshojnë se janë të infektuar u drejtohen pikërisht institucioneve ose më saktë telefonojnë urgjencën kombëtare, pasi do të ishte problem më i madh nëse dikush që mund të kishte shenja të mos e vlerësonte fare gjendjen e vet.
A keni një mesazh që doni t’ua trasmetoni të rinjve pogradecarë, nëpërmjet rubrikës sonë të gazetës rinore “Letër e hapur”?
Mesazhi që dua t’iu transmetoj të rinjve pogradecarë është që të udhëhiqen nga parimi “pogradecarët për Pogradecin”. Pra të vazhdojnë studimet aty ku ata kanë mundësi por të vijnë të japin kontributin e tyre në qytetin tonë. Kemi qytet të mrekullueshëm që na e kanë zili të tjerët, por duhet të jemi ne pogradecarët që duhet t’i shërbejmë qytetit.
Gazetare: Brikena Topuzi
Maj – Qershor 2020