Morëm pjesë në takimin e organizuar nga CRCA/ECPAT Shqipëri me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, të cilët ftuan më datë 19.01.2024 rreth 60 të rinj dhe të reja të qarkut Korcë dhe antarë të Këshillave Vendorë Rinorë, me qëllim prezantimin e Qendrës së Shërbimeve Rinore me një ndalesë. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me Bashkitë: Korçë, Pogradec, Maliq dhe Devoll.
Është hera e parë që një qendër e tillë modelohet dhe hapet në Shqipëri, e cila ka si synim kryesor të sjellë në një vend të vetëm të gjitha shërbimet e domosdoshme dhe të nevojshme për të rinjtë, si për informimin e tyre, ashtu edhe zhvillimin e karrierës, arsimit dhe studimeve, formimit profesional apo punësimit, gjithashtu edhe shërbimeve të mbrojtjes e të kujdesit social.
Pjesë e këtij bashkëpunimi do të jetë edhe përgatitja e Planeve Vendore për Rininë. Ndaj, në këtë kuadër, u zhvillua një takim konsultativ i të rinjve nga të katërta bashkitë e përfshira në projekt, përmes një diskutimi në panel që përbëhej nga Ministrja e Rinisë, znj. Bora Muzhaqi, të rinj dhe koordinatorë rinorë, përfaqësues së organizmave rinore, bazuar në problemet dhe zgjidhjet që janë identifikuar.
Pas këtij takimi priten katër tryeza diskutimi të tjera në secilën prej bashkive të lartpërmendura.
Pjesë përfaqësuese për Gazetën Rinore “Letër e Hapur” ishte redaktorja Maria Balliu, ndërsa për Këshillin Rinor Pogradec koordinatorja Klea Gjika, të dyja aktualisht janë anëtare të Këshillit Vendor Rinor Pogradec.
Gazetare: Klea Gjika