Intervistë me znj. Anxhela Andoni, në të cilën folëm për fondin e ekselencës e mbështetjen financiare që iu bëhet studentëve të shkëlqyer, një vendim ky i miratuar edhe nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Pikërisht ky proces ka ndodhur edhe në rrethin tonë, ku janë shpërndarë gjithsej 3 bursa ekselence. Gjithashtu janë dhuruar bursa edhe për shkollat profesionale.
Cili është roli i Këshillit Bashkiak në shpërndarjen e këtyre bursave?
Ndarja e bursave në shkollat profesionale bëhet nga një ligj që vjen dhe është i miratuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Financës, ku është akorduar një numër bursash, të cilat ju jepen nxënësve që mbarojnë shkollën 9-vjeçare dhe vazhdojnë këtë shkollë profesionale në qytetin e Pogradecit. Në vitin 2019-2020 ishin akorduar gjithsej 47 bursa. Pasi përgatiten të gjitha materialet nga drejtoritë e shkollave profesionale, ato dorëzohen tek Qendra Arsimore dhe më pas stafi i qendrës përgatit materialin ose projekt-vendimin, i cili miratohet nga Këshilli Bashkiak, pas shqyrtimit nga Komisioni i Arsimit. Ndërsa për nxënësit ekselentë këtë vit nga fondi i bashkisë u dhurua bursë për 3 studente, nga të cilat njëra ishte ekselente dhe dy të tjerat me mesatare 9.9, një stimul ky edhe për vazhdimësinë.
Cili është kontributi juaj si Qendër Arsimore për këto bursa të ndara?
Ne, duke shqyrtuar dokumentacionin nuk mund të dalim nga këto kritere të vendosura që të mund të japim bursa, pra duhet patjetër me notë mesatare 10.00. Por, këtë vit unë e thashë edhe më lart që për 2 bursat e dhuruara luhatej një notë, pikërisht për të stimuluar studentët ose maturantët që të mësojnë, të kenë rezultate akoma më të mira dhe të marrin këtë vlerë. Vlera ishte 45 mijë lekë për secilin vit.
Tepër të rëndësishme siç edhe ju e përmendët janë kriteret. Cilat ishin këto kritere të përzgjedhjes së fituesve?
Për nxënësit ekselentë kriter është vetëm nota mesatare 10.00. Ndërsa për shkollat profesionale ka një mori kriteresh të mirëpërcaktuara sipas vendimit të VKM-së nr.666 të ardhur: -Kriteri ekonomik, i cili përfshin vërtetim të ndihmës ekonomike dhe deklaratë për të ardhurat nga kryefamiljari etj. -Kriteri sipas rezultateve të arritura, ku përfshihet kopja e dëftesës dhe vërtetimi nga shkolla për mesataren. Kusht është kriteri ekonomik dhe gjithashtu nxënësi duhet të jetë patjetër me vendbanim në Pogradec.
Ju personalisht e keni ndjekur suksesin e studentëve pasi e kanë fituar bursën?
Të them të vërtetën, një pjesë e këtyre studentëve kanë mbaruar me rezultate shumë të mira pothuajse 100%. Jo çdo vit janë dhënë bursa ekselence, sepse nuk ka patur të tillë. Nga Bashkia nuk ka patur kurrë pengesë për dhënien e një vlere monetare kundrejt tyre. Unë uroj që këta ekselentë të rikthehen në qytetin tonë dhe të japin kontributin, eksperiencën dhe të punojnë për të.
Për sa i përket punës suaj si institucion, cila është sfida aktuale që keni për shërbimin ndaj shkollave në rrethin e Pogradecit?
Në qoftë se i referohemi pjesës së shërbimit, nuk mund të themi vetëm një shërbim. Si Qendër Arsimore ofrojmë shërbimet e mirëmbajtjes, infrastrukturës të së gjitha godinave të institucioneve arsimore, duke filluar që nga ai parashkollor e deri te ai i mesëm. Kjo është një detyrë dhe një përgjegjësi e bashkisë dhe ne si qendër, i përgjigjemi me pjesën e punës të të gjithë stafit në bashkëpunim me Ndërrmarjen e Infrastrukturës, të Mirëmbajtjes, Shërbimeve të Punëve Publike. Sivjet do t’u kushtohet një rëndësi e madhe dy projekteve të rikonstruktimit të gjimnazit “14 Engjëjt” dhe shkollës 9-vjeçare në Lin. Për sa u përket këtyre projekteve të rikonstruksionit, ato financohen nga qeveria dhe një përqindje nga Bashkia. Ashtu siç jemi të vetëdijshëm dy gjimnazet e qytetit “Muharrem Çollaku” dhe “Gjergj Pekmezi” kanë standarde dhe kushte shumë të mira tashmë. Ne presim që aty të ketë një rritje edhe në cilësinë e mësimdhënies dhe rezultateve, por kjo ngelet një sfidë. Gjithashtu, do bëhen rrethime në kopshte, në shkollat e qytetit, shtrime të oborreve për një ambient më të këndshëm sportiv. Do të vendosen stola dhe përveç lyerjeve, pjesëve hidraulike, elektrike, besojmë se nëse do të rikthehemi në shtator shkollat do të jenë në kushtet e duhura dhe në normalitet.
Si mendoni të zhvillohet viti i ri shkollor 2020-2021 referuar situatës në të cilën ndodhemi?
Si Bashki dhe Zyrë Arsimore, ne presim urdhrat dhe udhëzimet që vijnë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Kjo është e rëndësishme, sepse në vijim të tyre vazhdojmë punën për vitin shkollor. Ne si institucion, jemi të gatshëm që në rast se ka pengesa ose shtyrje të datës së fillimit të vitit, të zbatojmë udhëzimet jo vetëm nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë por edhe nga ajo e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Po identifikojmë të gjitha problematikat dhe po vazhdojmë punën që më datë 14 shtator gjithçka të jetë gati.
A keni një mesazh për të rinjtë pogradecarë?
Patjetër! Të gjithë të rinjtë, jo vetëm të qytetit tonë, janë “lindja e diellit”. Dhe ne presim që ky diell, pra të rinjtë, çdo ditë ta ndryshojnë qytetin e Pogradecit nëpërmjet një arsimimi sa më cilësor dhe të plotë në mënyrë që të jenë të denjë për vendlindjen e tyre. Kështu ata do të jenë krenarë jo vetëm për veten e tyre por edhe që janë pjesë e këtij qyteti.
Gazetare: Sara Basha
Korrik – Gusht 2020