Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, e zhvilluar në datën 23.07.2020 u diskutuan plot 8 projekt- vendime. Në mënyrë të pazakontë, sigurisht për t’iu përshtatur masave të sigurisë ndaj Covid 19, mbledhja e kësaj rradhe u zhvillua në skenën e Qendrës Kulturore të qytetit të Pogradecit. Të vendosur në skenë ishin Kryetari i KB dhe nënkryetarja, përballë me një “publik të çorientuar” këshilltarësh dhe përfaqësuesish të administratës. U deshën disa minuta për të sistemuar rrëmujën në sallë por me ndihmën e ishsekretarit dhe thirrjet për qetësi të kryetarit të Këshillit Bashkiak, të pranishmit u ulën në vendet që i’u takonin. Pa humbur kohë, Kryetari kërkoi që të niste menjëherë puna me rendin e ditës, por duket se problematika të tjera kishin në plan të ndërprisnin vijimësinë e punës.
Duhet theksuar se problematikat kishin të bënin kryesisht me mungesën e një sekretari, për këtë arsye detyrat e tij u përpoqën të mbuloheshin nga kryetari dhe nënkryetarja e Këshillit. Në fillim të mbledhjes, numërimi i këshilltarëve mori më shume kohë nga ç’mendohej, megjithatë pas disa numërimeve ranë në konsensus se të pranishëm në sallë ishin 22 këshilltarë. Këshilli Bashkiak vazhdoi punën bazuar në rendin e ditës që i’u ishte paraqitur këshilltarëve një ditë me parë dhe mes diskutimesh dhe sugjerimesh nga të pranishmit arritën të miratohen plot 9 projekt-vendime. Megjithatë vlen të theksohet se koha e nevojshme për të numëruar votat pro ose kundër në çdo rast, ishte relativisht më e zgjatur se në një ditë të zakonshme.
Megjithatë në përfundim të mbledhjes u mbajtën votime për zgjedhjen e sekretarit të ri. Nëpërmjet një votimi të hapur, me propozimin e kryetarit të Këshillit u zgjodh në pozitën e sekretares së re të Këshillit Bashkiak, Jona Bojko, si e vetmja kandidature e propozuar. Me zgjedhjen e re pozita e sekretarit mbeti brenda familjes duke kaluar nga një bashkëshort tek tjetri. Ndoshta kësaj rradhe “fajin” mund t’ia vendosim rastësisë. Duke cituar kryetarin: “Mbledhja e sotme mund të konsiderohet një sukses, pavarësisht disa problemeve të vogla që dolën rrugës”, ne i urojmë sekretares suksese në detyrën e re që ka marrë përsipër, duke shpresuar që të jetë zgjidhja e atyre problematikave të përmendura më sipër.
Gazetare: Elia Meçi
Korrik – Gusht 2020