Miratimi i Ligjit për Rininë, miratuar në vitin 2019 (Ligji Nr. 75/2019 “Për Rininë”) përcakton detyrat e ministrisë përgjegjëse për rininë, i cili që në kohën e miratimit përfshihej në fushën e përgjegjësisë së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, ndërsa, aktualisht ka një Ministër Shteti për Rininë dhe Fëmijët. Ky ligj ngarkon institucionin përgjegjës për rininë që është Agjencia Kombëtare e Rinisë (VKM Nr. 681, datë 02.09.2020 “Për mënyrën e krijimit, të organizimit e të funksionimit të AKR”), e cila ushtron aktivitetin në të gjithë territorin e vendit. Ligji, gjithashtu, parashikon ngritjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Rinisë, në përputhje me kriteret e miratuara me VKM (VKM Nr. 969, datë 02.12.2020 “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të zgjedhjes së anëtarëve të KKR, si edhe mënyrën e organizimit dhe funskionimit të tij”), si organ këshillimor pranë ministrit përgjegjës, si edhe Këshillave Vendorë Rinorë, si organ këshillmor pranë kryetarit të bashkisë. Nisur nga fakti që çështje të caktuara të aktivitetit rinor, mbrojtjes dhe fuqizimit ishin përcaktuar nga akte ligjore të veçanta, ligji i Rinisë has problematika konkrete përfshirjeje, por edhe zbatueshmërie dhe nisur nga kjo e fundit ka nevojë të domosdoshme për rishikim dhe adresim problematikash nëpërmjet akteve nën-ligjore.
Ministri për Rininë dhe Kryetarët e Bashkive duhet të zhvishen nga roli i Kryetarëve të Këshillave Rinorë, për të mos cënuar autonominë e tyre. Duke qenë se Kryetarët e bashkive kanë prioritete të tjera më me rëndësi, si infrastruktura, etj. E domosdoshme është rregullimi me ligj i shfuqizimit të neneve të cilat emërojnë Kryetarët e Bashkive si Kryetarë të Këshillave vendorë Rinorë, si edhe Ministren e Rinisë dhe Fëmijëve si kryetare të Këshillit Kombëtar të Rinisë. Ky ndryshim do të rritëmundësinë e lidershipit të rinisë në rang lokal dhe qëndror, si edhe do të mundësojë vënien në prioritet të kauzave të tyre. Rekomandohet prezenca në mbledhje të KVR-ve të kryetarëve, por jo mbajtja e pozicionit të kryetarit të tyre. Duke qene se vetë mbledhjet dhe rendi i ditës thirren nga ky i fundit, mundësia e shprehjes së problematikave para autoritetit zvogëlohet. Gjithashtu, problematikë tjetër e Këshillave Vendorë Rinorë, është mungesa e sekretarëve. Këto të fundit nuk arkivojnë relacione apo edhe procesverbale mbi mbledhjet, pasi nuk kanë sekretar.
Për të krijuar një vijimësi logjike të sistemit të mbrojtjes së veçantë nga shteti dhe në analogji me ligjin për të drejtat e mbrojtjen e fëmijëve, ligji për rininë duhet të përfshijë në përgjegjësitë e ministrive detyrimin për analizimin e ndikimit tek të rinjtë për të gjitha projekt-aktet e iniciuara prej tyre dhe për parashikimin në buxhetet e tyre të fondeve të nevojshme për përmbushjen progresive të të drejtave të të rinjve sikurse parashikohet në Nenin 39 gërma c) dhe ç) të ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës. Ligji përcakton si të rinj individët e grupmoshës 15-29 vjeç (4Neni 3, gërma f) e Ligjit Nr. 75/2019 “Për Rininë”). Megjithatë termi “i ri” ose “e re” shpesh përdoret për të referuar individët në periudhën kalimtare me fëmijërisë dhe moshës së rritur, ky term nuk ka një përcaktim të veçantë. Prandaj për të ruajtur vijimësinë ligjore dhe përputhjen në aspektin moshor të përkufizimit të ligjit shqiptar të rinisë dhe atë të Bashkimit Evropian, sugjerohet të mos bëhen ndryshime në përkufizimin moshor të rinisë.
Në vijim, do të përcjell edhe ide të tjera për ndryshimet ligjore të cilat garantojnë mbarëvajtjen e punës me/për të rinjtë, me shpresën se ky artikull dhe veprimtaria ime pranë Qëndresës Qytetare, do të ofrojë rekomandime të dobishme dhe do të merren në konsideratë nga organet ligj-bërëse!
Mateo Yskollari
Aktivist
Qëndresa Qytetare